Gjergj Kastrioti(Skënderbeu), një nga njerëzit më të mëdhenj që është ulur ndonjëherë në fronin iliro-arbëror.Ai ishte jo vetëm gjeneral ushtrisë të tij, por edhe politikan, burrështeti ,diplomat dhe përkujdesësi më i madh i qytetarëve të tij me të cilët kishte një dashuri të pamasë saqë edhe vetë qytetarët e donin atë për shkak të udhëheqjes së urtë vizionare dhe të mbrojtjes së tyre dhe lirisë së tyre.Më saktësisht ai ishte shpirti i të gjithëve; Gjithçka realizohej nën sytë e tij, gjithçka ndodhte përmes tij.
Ky kryezot e mbret arbëror i kishte të gjitha cilësit që e ngritën atë në pushtet dhe famë, i guximshëm në planet e tij, planet e të cilit realizoheshin me sukses vetëm sepse ishin të rregulluar me mençuri dhe ekzekutuar me mjeshtëri; superior në luftë, i admirueshëm, i denjë dhe fisnik, i talentuar me një sy vizionari,trim pa masë.
I adhuruar nga ushtarët dhe oficerët e tij, një nga avantazhet e tij më të mëdha, dëshira për luftë dhe rregulli i trupave të tij, ai dinte të bënte manovra të shpejta, guxonte të bënte lëvizje të papritura që u kurorëzheshin me sukses, dhe të cilat armiqtë e tij vështirë se do të mund të mësonin prej tij.
Gjeniu arbëror Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) dallohej për të gjitha cilësit e tij udhëhqëse ,morale dhe patriotike,prandaj edhe mori epitetin si kryezoti dhe mbreti i Madh i Iliro-Arbërisë.Sa i lumtur ishte kombi arbëror në atë kohë që kishte në krye të tij një princ,kryezot e mbret të urtë, trim, vizionar,strategt e të hekurt që mendonte dhe vepron me aq mençuri në të gjitha situata dhe në çdo rrethanë të sfidave që i dilnin Arbërisë përpara! Gjergj Kastrioti, që me të drejtë e meriton emërtimin i Madh, që jo vetëm mbretëria arbërore, por e gjithë Europa e quante me entuziazëm, hero,gjeneral, atlet ,strateg dhe ligjvënës, është shembulli më i madh në shekuj të shekujve.Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) ishte pastërtisht iliro-arbëror,plotësisht origjinal ,ai nuk ishte imitues i askujt dhe çdo veprim i tij tregonte përmasat e gjeniut të tij të jashtëzakonshëm, i cili shpesh shfaqet vetëm një herë në shekuj.
Urtësia dhe dituria janë sytë e të gjithë njerëzve të arsyeshëm dhe mbi të gjitha të udhëheqësve të vërtetë tek të cilët qëndrojnë virtytet dhe drejtësia,të gjitha këto i kishte edhe kryezoti dhe mbreti arbëror Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Ai ishte gjithashtu një shembull i rrallë që, me anë të depërtimit të thellë dhe të udhëheqjes vizionare e të urtë por edhe si një lider e strateg që i donte shkencat e mbi të gjitha shkencën e artit luftarak;pastaj ai me thjeshtësinë e tij dhe afërsinë me të gjithë qytetarët ,ushtarët dhe njerëzit pamarrë parasysh pozitave shoqërore shpërndau lumturinë nëpër shtetin e tij Arbëror, për të cilën ai tashmë kishte lindur.
Gjergj Kastrioti ishte krenaria e shekullit të tij dhe tani edhe e shkeullit tonë, ai hyri në skenën e botës, në të cilën luajti rolin e tij vendimtar si një nga më të shkëlqyerit, më sublimët, rolin më të admirueshëm në kontinentin europian, atë të mbrojtësit të vlerave universale dhe qytetërimit europian.Dhe se ky mbret e kryezot i pavdekshëm u bë monarku më i madh i europës, gjenerali, heroi më i madh,strategu etj , i cili do të mbetej me të njëjtën madhësi, i njëjti i nderuar edhe sot kur po i shkruaj këto rreshta përkujtues me rastin e këtij përvjetori të ikjes së tij në qiell dhe përjetësimit të figurës së tij.
Vdekja e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) krijojë një boshllëk të pamatshëm për Arbërinë dhe gjithë Europën,prandaj edhe e gjithë Europa e asaj kohe vajtoi për vdekjen e këtij kryezoti,burrështeti ,heroi dhe mbrojtësi të madh të civilizimit të përbashkët europian. Para se të jepte shpirtin e tij të madh tha kështu:
„Providenca hyjnore, që urdhëron gjithçka sipas besimit, dëshiron që unë ta flak këtë mish të vdekshëm.I dëshmoj Zotit se ideja e vdekjes, ose më saktë ky ligj, nuk më tremb aspak, por i nënshtrohem domosdoshmërisë së tij pa u ankuar, pasi është dita e lindjes sime.Dheu duhet të kthehet në tokë, ndërsa shpirti i pavdekshëm atij që na e ka huazuar.“
Paka para se të ikte në qiell sipas zakonit arbëror të tij, ai ishte përpjekur të udhëtonte në të gjithë vendin e Arbërisë si kryezot e mbret, në mënyrë që para se të largohej shpirti i tij nga familja e tij, miqtë,qytetarët dhe ushtarët e tij:kështu ai inspektoi pothuajse një pjesë të madhe të vendit si simbol që e dontë Arbërinë e bashkuar dhe kështu t'ia lërë edhe hirin e fundit tij atdheut të tij ,kombit të tij për të cilin dha gjthçka. Dhe kur erdhë në Lezhë për të dhënë edhe porosinë e fundit para së të ikte në qiell tha edhe këto fjalë domethënëse ,dhe profetike dhe për sot:“Sikur ju besuat se nëse qëndroni të bashkuar, nëse jeni në tokën e etërve tuaj. Në këtë mënyrë besoj se nëse doni mund ta ruani harmoninë e bekuar në mes vete duke i mbrojtur dhe ruajtur të mirat e përbashkëta,kështu edhe do të shpëtoni. si atdheun,nderin ashtu edhe familjen dhe pavarësinë.“
Ishte nata e 17 janarit të vitit 1468 në të cilën kryezoti ,kryeheroi e mbreti arbëror vdiq i mbuluar me lavdi e shkëlqim për gjithë veprat e tij gjatë së cilës ai kishte jetuar dhe qeverisur vendin e tij. Kur armiku i tij barbarë sulltan Mehmeti II mori vesh për vdekjen e tij ishte shumë i gëzuar dhe nxori këto fjalë: “Tani më takon e gjithë Europa dhe Azia. Të krishterët e Europës kanë humbur shpatën dhe mburojën e tyre.“
Ndërkaq Lekë Dukagjini i dërmuar nga dhimbja për humbjen e kryezotit arbëror doli udhëve të qytetit duke shkulë flokë e mjekërr dhe duke rrah gjoksin tha:“ Ejani ,ejani o princa fisnik arbëror. Sot kështjella e Epirit ra me këtë njeri; fortsat tona dhe të gjitha forcat tona u shkatërruan bashkë me qytetet tonë ,shteti ynë këtë ditë ra përtokë; dhe e gjithë shpresa iku bashkë me të!”Gjergj Kastrioti(Skënderbeu)u varros në katedralen e Shën Kollit në Lezhë, në prani të aleatëve, gjeneralëve, ushtarëve dhe qytetarëve të tij. Në lidhje me këtë po vendos këtu një imazh shih bashkëngjitur të vendvarrimit të Gjergj Kastriotit i realizuar në vitin 1880(S.M.nr.I,1880)Arbëria vajtoi dhe ra në ditë zie për vdekjen e këtij njeriu të madh,e këtij udhëheqësi e mbreti të papërsëritshëm arbëror.Edhe Europa e asaj kohe sikur u tha edhe më lartë e vajtoi që kishte humbur mburojën e saj, por që nuk iu përgjigj ftesës së Gjergj Kastriotit(Skënderbeu) për mbështetje të tij në kohën e duhur e të nevojshme sa ishte gjallë, por e vajtoi pasi vdiq dhe pasi e pa se rreziku ishte tepër i madh për të gjithë,por tani më ai nuk ishte më për ta ndal tiranin otoman në planet e tij për pushtime të reja në hapësirën e kontinentit europian.