“Faik Konica ishte i martuar me një franceze”, Zbulohet djali i tij i panjohur! Të pathënat për jetën private të korifeut të letrave shqiptare

Historia

“Faik Konica ishte i martuar me një franceze”, Zbulohet djali i tij i panjohur! Të pathënat për jetën private të korifeut të letrave shqiptare

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 06:48
Faik Konica

Sakip Skepi, ai fëmija pesëvjeçar që kapërceu Korabin me familjen nën breshërinë e plumbave në majin e largët ’58, u rrit e shkollua në Bruksel. Aty u martua, u bë baba, bëri karrierë e emër në profesion dhe spikati ndër personalitetet e diasporës në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Përtej brengës për vendlindjen dhe motrat e mbetura aty, jeta i rrodhi si e dëshiroi. Nga shumëçka që i fali Brukseli, njohja me burrat e mençur dhe shqiptarët që bënë histori në mërgatën shqiptare, ka qenë për të një privilegj i jashtëzakonshëm. “Një privilegj që nuk e patën bashkëkombësit që jetonin në Shqipërinë e Enver Hoxhës”, shprehet Sakipi, duke përmendur avarganën e shqiptarëve të botës tjetër që e ëndërruan vendin e tyre jashtë vargonjve të regjimit komunist dhe brenda kufijve të botës perëndimore. Nuk është e rastit që narracioni i tij rreth kësaj qasje nis me emrin e Faik Konicës.

Konica i madh, thotë, si rrallëkush tjetër në trojet tona që u anatemua e stigmatizua pa fund nga propaganda enveriane. Në radhët e atyre që ka njohur në Belgjikë veçon Muharrem Bajraktarin, një gjigand burrë siç e quan që jetoi 100 vite larg familjes me dy djem të vrarë e gruan të internuar dhe nuk ra kurrë në gjunjë, por qëndroi deri në çastet e fundit një shqiptar i madh. Sakip Skepi ndihet krenar që i ka njohur nga afër një pjesë të këtyre korifenjve të çështjes shqiptare dhe ka mësuar shumë prej tyre. Sakaq, ka mendimin se historia dhe shoqëria shqiptare janë ende larg promovimit të vlerave të tyre, këtij thesari të formësuar jashtë trojeve shqiptare.

Shërbimi që i bënë ata shqiptarizmës në kushte të vështira e teje të vështira, vlerëson 70-vjeçarin Skepi, ka qenë epokal, por për fatin e keq pjesa më e madhe e tyre nuk arritën t’i shikojnë realitetet e reja kur Shqipëria e ëndrrave të tyre të dashura e ka braktisur një herë e mirë flamurin me yll dhe regjimin komunist. Po çfarë sjell tjetër nga historia e mërgatës shqiptare ai djaloshi që kapërceu Korabin me familjen nën breshërinë e plumbave në majin e largët ’58 dhe u rrit e shkollua në Bruksel…

Zoti Sakip! Në Belgjikë ka jetuar një pjesë e madhe e mërgatës shqiptare, që në Shqipëri, në vitet e regjimit komunist, njihej pak. Çfarë mund të na thoni për historinë e saj dhe mënyrën si ishte integruar ajo në jetën e vendit?

Komuniteti i shqiptarëve që kanë jetuar e jetojnë në Belgjikë ka një histori komplekse. Në fakt, këtu ka pasur shqiptarë qysh në fillimet e shekullit të 20, por kanë qenë të paktë. Në fillim të vitit 1957 ka mbërritur kontingjenti i parë, që do të thotë një numër i madh dhe i organizuar.

Dërgata e dytë ka ardhur në vitin 1960, për të pasuar me dërgatën tjetër në vitin 1962. Kontingjenti i fundit ka qenë ai kur erdhëm ne, në fillimin e vitit 1967. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë zyrtare. Shumica erdhi me ndihmën e Karitasit dhe organizatave të tjera katolike që i sillnin në mënyrë të organizuar nga vende të ndryshme. Në të gjitha rastet, shteti belg i mirëpriste dhe krijonte kushte sociale, deri sa të integroheshin në tregun e punës.

Pse thoni që mërgata shqiptare e Belgjikës ka një histori komplekse, kur të gjithë vinin aty për një jetesë më të mirë?

E vërtetë është që i bashkonte halli, por të tjera gjëra krijonin ndasi, madje dhe përplasje. Në çdo kohë, përveç mirëkuptimit, ka pasur dhe problematika të ndryshme me arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të rëndomtat. Shkurt, nuk ka shkuar çdo gjë kreshendo në komunitetin e shqiptarëve që jetonin këtu…

E keni fjalën për shqiptarët e Shqipërisë…

Në përgjithësi, shqiptarët e Shqipërisë nuk kishin probleme më së veti. Probleme ka pasur ndërmjet tyre dhe emigrantëve që vinin nga Kosova dhe trojet e tjera shqipfolëse. Më së shumti shkak i tyre kanë qenë qasjet politike. Ndërkohë që pjesa dominuese e shqiptarëve të Shqipërisë ishin antikomunist dhe kundër regjimit të Enver Hoxhës, nuk ndodhte kështu me pjesën e shqiptarëve të tjerë…

Pra, në Belgjikë kishte dhe shqiptarë që besonin te komunizmi…

Grupi i parë i emigrantëve shqiptarë që besonin te komunizmi dhe Enver Hoxha ishte ai i kosovarëve që erdhën në Belgjikë nga Turqia në vitet ’60-’70, pasi nuk ishin përshtatur dot me jetesën aty. Ata ishin indoktrinuar dhe shfaqeshin haptas pro Enverit dhe Shqipërisë socialiste. Kjo falë dhe ndikimit që kishte luajtur te ta personeli i ambasadës shqiptare në Turqi dhe në Belgjik. Tjetërsoj shfaqeshim ne emigrantët që kishin ardhur nga Shqipëria dhe e urrenim me shpirt komunizmin dhe Enver Hoxhën. Pra, shqiptarë të dy palët, por me dallime të dukshme ideologjike…

Kjo vetëm me emigrantet kosovarë që erdhën nga Turqia..

Ata ishin bërthama e parë e grupimeve që besonin te komunizmi, po pati dhe të tjerë. Në vitet ’70-’80 pati një fluks të madh emigrantësh që erdhën nga Jugosllavia, ku kishte shumë shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi. Çuditërisht pjesa më e madhe e tyre shfaqnin urrejtje për shtetin e Jugosllavisë dhe një dashuri të pakuptimit për regjimin komunist të Tiranës.

Ishte e pamundur t’u shpjegoje tmerrin që jetonte atëherë Shqipëria komuniste. Madje, shumë syresh kishin bindjen se politika e Tiranës do të çlironte Kosovën nga kolonizimi serbomadh. Dhe e demonstronin këtë në tubime të ndryshme, aq sa shpesh bëheshin objekt i përplasjeve me pjesën tjetër që e shikonin ekzistencën e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist si shkaktar të gjenocidit në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi…

Ka pasur në tilla në ato vite në Bruksel?

Mbaj mend një rast kur erdhi për një ndeshje futbolli “17 Nëntori” i Tiranës në Standard Leizhin. Ne shkuam me flamurin shqiptar pa yll, ndërkohë që ata erdhën me flamurin me yllin e kuq. Shqiptarë të dy palët, po me një ndarje të madhe në mes. Ra bilbili. Filloi ndeshja. Filluan brohoritjet “Shqipëri, Shqipëri”. Të parët ata ngritën flamurin e tyre.

Ç’të shikoje, në mes të stadiumit flamuri i Enverit me yll. U çuam ne dhe shkuam e ua hoqëm me forcë, duke ngritur flamurin pa yll. U bë një pështjellim i madh, gati në përplasje fizike. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. “Po grinden shqiptarët”, thoshin të tjerët që nuk e kuptonin shkakut e vërtetë. Ç’të të them, ka qenë një episod më shumë se i pakëndshëm…

Sidoqoftë, në radhët e mërgatës shqiptare të Kosovës ka paSur dhe patriotë të spikatur të çështjes kombëtare…

Patjetër që ka pasur. Ka pasur të tillë që bënë dhe histori, si rasti i Enver Hadrit dhe Gani Azemit pas vitit ’81. Po dhe pjesa tjetër që besonin te komunizmi nuk mund të thuash se nuk ishin patriotë. Ashtu me flamurin e kuq ata demonstruan fuqishëm disa herë para ambasadës jugosllave në Bruksel në mbështetje të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Më vonë pastaj, sidomos pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të monumentit të Enverit në Tiranë, gjithkush prej tyre do qartësohej për të vërtetat e komunizmit dhe regjimit komunist që e kishte lënë Shqipërinë jashtë botës së qytetëruar…

Në Bruksel ku jetoni, ka operuar dikur Faik Konica dhe një pjesë e madhe e personaliteteve të shquara shqiptare. Si është përjetuar kjo nga diaspora shqiptare dhe si vlerësohet kontributi i tyre?

Faik Konica është një emër i madh për diasporën shqiptare të Brukselit, por jo vetëm. Ai ka jetuar disa vite aty, por ka lënë gjurmë të thella për kontributet e jashtëzakonshme në fushën e shqiptarizmës. Ka qenë krijues, filozof, politolog, nga të rrallët e brezit të tij.

E ndërsa në Shqipëri në kohën e regjimit komunist njihej fare pak kontributi i tij, në Bruksel, për shqiptarët Faik Konica ishte pjesë e krenarisë kombëtare. Unë kam shkuar i vogël, por në vitet e rinisë dhe më vonë kam mësuar shumë për veprën e Konicës. Kam shfletuar librat e tij, kam vjershëruar poezitë e tij dhe me moshatarët në shkollë kam folur gjatë e shpesh për vlerat e tyre…

Çfarë dini për aktivitetin e Konicës në Bruksel, sa vite qëndroi aty?

Faik Konica kishte ardhur në Bruksel në fundin e viteve 1800, pasi kishte kryer studimet në Francë dhe jetoi e punoi aty deri në vitin 1909. Qysh në ditët e para të mbërritjes në Bruksel botoi revistën “Albania”, ku vendin kryesor e zinin krijimet e tij në poezi, prozë poetike, artikuj publicistik e tregime. Është ky momenti historik kur Konica i madh hapi një periudhë të re të zhvillimit të kulturës, të arsimit dhe të prosperitetit të popullit shqiptar, duke u inkuadruar kësisoj në lëvizjen patriotike të Rilindjes Kombëtare. Meritat në këtë fushë janë të pakontestueshme.

Jehona që bëri vepra e tij patriotike, ra menjëherë në sy të Perandorisë Osmane që asokohe kishte pushtuar Shqipërinë. Reagimi i saj kishte qenë i ashpër e brutal. Dy herë u dënua sa ishte në Bruksel Konica i madh. Një herë me shtatë vite burg dhe një herë tjerr me burgim të përjetshëm, por mundi të shpëtonte, fal zgjuarsisë dhe miqësisë me njerëzit e shquar të Brukselit të atyre viteve.

Ajo çka ndodhur më tej me të është e ditur. Në Bruksel dhe sot roli dhe kontributi i tij nderohet jo vetëm nga diaspora shqiptare. Në nderim të tij, autoritetet lokale, kanë pagëzuar një rrugë në lagjen ku jetoi Konica i madh me emrin rruga “Rue d’Albanie”. Sakaq, në njërën nga shtëpitë ku Konica përgatiste revistën politike, kulturore dhe letrare “Albania”, është vendosur një pllakë përkujtimore me emrin e tij.

Në Shqipëri vitet e fundit janë bërë përpjekje dhe gati është botuar e gjithë vepra e Konicës dhe aktualisht njihet më mirë profili i tij. Në Bruksel ku ka kaluar pjesën më të madhe të rinisë, flitet se njohin mirë dhe jetën private të tij…

Gjeniu Konica sa i pranuar aq dhe i kontestuar, sa i dashur aq dhe i përbuzur, sa i vlerësuar aq dhe i mohuar, ka pasur si të gjithë jetën e tij private, për të cilën ka qenë shumë i kursyer për ta hedhur në librat dhe krijimet e tij. Megjithatë bashkëkohësit me dëshmitë e tyre kanë transmetuar brez pas brezi shumë nga bëmat e jetës së tij, që emigrant e hershëm i dinë mirë. Në tërë ato që ka botuar Konica pohon se mban statusin e “beqarit të përhershëm” dhe se nuk ka lënë asnjë trashëgimtar.

Po e vërteta është ndryshe. Faik Konica ka qenë i martuar me një nënshtetase franceze, Annette Sophie-Josephine Hugan, me të cilën ka pasur një djalë me emrin Henrik Schengrin bey Konitza. Certifikata që porosita për panoramën e lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Saint-Gilles, Bruksel, konfirmon zyrtarisht ditën e lindjes së tij në qershor 1897.

Ka dëshmitarë e dokumente që Henrik Schengrin bey Konitza ka jetuar në Zvicër dhe se ai nuk e ka mohuar asnjëherë faktin që është i biri i Faik Beut. Ka pastaj dhe histori të tjera të Konicës me femra, për të cilat është rezervuar ti dëshmojë. Gjithsesi, Konica mbetet Konic, gjigand i letrave dhe shqiptarizmës, si rrallëkush tjetër…

Ka jetuar në Bruksel dhe Muharrem Bajraktari, një nga korifenjtë e nacionalizmit shqiptar. Besoj e keni njohur…

Muharrem Bajraktari ka qenë miku i ngushtë i familjes sonë, me të cilin jemi njohur e miqësuar sa kemi mbërritur në Bruksel. Im atë e njihte qysh kur ishim në Shqipëri dhe e çmonte si një nga burrat e shquar të atdhetarizmit shqiptar. Mbaj mend mbrëmje të tëra të bisedave me të në shtëpinë tonë. I

shte burrë që i kishte hije fjala dhe kuvendi. Kishte ardhur në Bruksel aty nga viti ’47, pasi ndiqej nga bandat e Enverit që e kishte prerë në besë në vitet e luftës. Dy djem dhe vëllai i ishin vrarë. Gjysmën tjetër të familjes e kishte lënë në Shqipëri dhe jetonte i vetëm. I vetëm po burrë bajraku deri sa vdiq në vitin 1989. Vdiq kur sa kishte mbushur një shekull. Do rroj gjatë i thoshte babait, se do jetoj dhe ditët që u preu në mes plumbi fëmijëve e të afërmve…

Dhe vdiq në vetmi…

Ai burrë nuk ndenji kurrë vetëm. Gjithkush nga emigrantët shqiptarë në Bruksel e kishte nder të pinte një kafe e të ndërronte një bisedë me të. Kishte çfarë mësoje prej tij. As në vdekje nuk mbeti vetëm. Ceremonia e varrimit të tij ka qenë nga më të mëdhatë që kam parë në Bruksel. Me mijra veta kishin ardhur qysh nga Amerika, Franca, Gjermania e Kosova për ta përcjellë gjeneralin e pashoq.

Ka qenë një tubim madhështor. E mbaj mend si tani. Fjalën e rastit e mbajti Idriz Basha një nga liderët e emigracionit politik shqiptar, njëherazi një intelektual i shquar. Ai solli aty profilin e plotë të Muharrem Bajraktarit, si një ndër nacionalistët me emër shqiptar që Shqipërinë e deshi fort deri në çastet e fundit. Profesor Basha përmendi meritat e pakontestueshme të tij në luftën kundra okupatorëve italian e gjerman si dhe mënyrën tinëzare si e preu në besë Enver Hoxha dhe të tijtë.

Sakaq në drekën e mortit ndër të tjera folën me superlativa për rolin dhe kontributin historik të tij Enver Hadri dhe Skënder Zogaj, dy nga figurat e shquara të lëvizjes kundër gjenocidit serbomadh ën Kosovë. E mbaj mend çdo detaj të këtij eventi se e kam përcjellë me shumë vëmendje në radion “Jehona e Shqipes”, të cilën Muharrem Bajraktari e dëgjonte me vëmendje, si zërin e vetëm që vinte nga trojet shqiptare…/Afrim Imaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat