Taravari filloi fushatën “E vërteta për BDI-në” - Bota Sot
Taravari filloi fushatën “E vërteta për BDI-në”

Gostivari

E hënë, 23 korrik 2018

Taravari filloi fushatën “E vërteta për BDI-në”

Më: 5 janar 2018 Në ora: 15:20
Arben Taravari

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ashtu siç paralajmëroi paraprakisht, ka filluar sot fushatën e quajtur “E vërteta për BDI-në”, në kuadër të së cilës në vazhdimësi do të mbajë press-konferenca në të cilat do të shpalosen të gjitha abuzimet e bëra nga ana e ish udhëheqësisë së Komunës së Gostivarit, dhe që i ka konstatuar revizioni i brendshëm.

“Kemi plot skandale, duke filluar nga policia, arsimi, sfera e urbanizmit, puna e administratës komunale, e kështu me radhë. Tashmë kanë përfunduar disa revizione të brendshme, disa janë në rrjedhë, ndërsa me revizione do të vazhdohet deri në detektimin e abuzimit të fundit. Sot do të shpalosi para jush rastin e kafiterisë te NPEOS “Rinia” – Gostivar. Ky lokal, i është dhënë me qira personit Gazi Fejzi për një kompensim prej vetëm 5.000 denarë në muaj edhe atë në kohëzgjatje prej 20 vitesh. Ndërsa më skandaloz është fakti që me këtë kafiteri bllokohet hyrja e palestrës sportive e cila në ndeshjet basketbollistike të ligës së parë tubon mbi 2000 spektatorë të cilëve u rrezikohet siguria. Puna e dytë, e njëjta kjo kafiteri shfrytëzon rrymën dhe ujin e palestrës sportive, pra ato i paguajnë qytetarët e Gostivarit” theksoi Taravari për të shpalosur më tutje edhe një të vërtetë tjetër, se me mjete të Ndërmarrjes publike, janë paguar edhe disa tatime dhe taksa për kafiterinë.

Kryetari Taravari, u ndau gazetarëve materialet e nevojshme, respektivisht kontratën, përmes së cilës gazetarët dhe qytetarët mund të binden në pohimin e tij, duke i informuar ata se do të bisedojë me drejtorin e ri të Palestrës sportive, të përpiqet ta prishë kontratën me menaxhuesin e kafiterisë. Ndërsa, sa i përket masave që di të ndrërmerr, ai tha se në ingerencë të komunës është që përmes revizionit të konstatohen abuzimet dhe të sinjalizohen organet kompetente hetuese. Më pas, ju mbetet atyre që të ndërmarrin masa për ngritjen e përgjegjësisë.

Krahas kësaj, kryetari i komunës së Gostivarit, në lidhje me akuzat nga ish kryetari Bejta për buxhetin e propozuar për vitin 2018 bëri të ditur se:

“Për kabinetin tim kam paraparë rreth 15 mijë euro më pak se sa ish kryetari Nevzat Bejta për vitin 2017, ndërsa edhe shpenzimet tjera joproduktive të parapara për buxhetin e këtij viti janë në nivel më të ulët krahasuar me buxhetet e viteve të kaluara”.

Në konferencën për shtyp, kryetari Taravari u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.

Në lidhje me atë se sa janë gjasat që të mbahet seancë këshilli dhe të miratohet buxheti, Taravari me përgjigje: “Zotëri Nasir Musliu kërkon prej meje konstruktivitet. Sa i përket z. Musliu, ai është një zotëri në plotkuptimin e fjalës. Njerëz të tillë ka plot në BDI, por unë e di se tash dega e kësaj partie në Gostivar është në proces të zgjedhjeve , ka fraksione, janë të përçarë, kanë presione prej individit i cili duhet të largohet prej jetës politike dhe sipas të gjitha gjasave do të duhet të përgjigjet. Unë jam i hapur për bashkëpunim, do të ulemi të bisedojmë dhe do t’i bëjmë të gjitha punët që mund t’i bëj unë si kryetar komune që ta tejkalojmë këtë ngërç. Ngërçi dihet ku është, Nuk thirrin seancë, nuk vijnë në mbledhje. U dërgova një shkresë dje ku kërkoj të konvokohet seanca dhe shpresoj se do ta mbajmë këtë mbledhje“, nënvizoi mes tjerash Taravari.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test