Andrra - një ballafaqim me nënat

Gjermania

Andrra - një ballafaqim me nënat

Më: 13 maj 2018 Në ora: 11:53
Pamje nga videoklipi Kalle Llamës

Në shumicën e vendeve perëndimore sot festohet dita e nënës. Një festë që në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni mungon. Po a nuk janë nënat shqiptare ato që meritojnë më së shumti një festë të tillë?

Kur e takuam ne Andrran, alias Fatime Kosumin, në një zonë industriale të Berlinit Lindor, ishte prill dhe ajo ishte tepër e ngarkuar me provat për koncertin në Kantine am Berghain (8.04.18). Kishte qenë ëndërr për Andrran të jepte shfaqje në ish-mensën e termocentralit të dikurshëm në Friedrichshain të Berlinit Lindor. Jo vetëm për shkak të klubit amë (Berghain) që ka vite që Djmag e klasifikon në top10 të klubeve më ekskluzive me muzikë elektronike të botës, jo vetëm për shkak të impiantit Function One, prej nga do të buçiste zëri i mprehtë i saj, por para së gjithash për shkak të përzgjedhjes së kujdesshme që i bëhet programit të kolanës »Kometenmelodien« (shqip: Melodi kometash), ku do të performonte ajo.

Por ajo që e bënte kre

nare Fatimen ishte se, e mbështetur nga dy shoqërueset e saj, e motra, Mevlude Kosumin, alias DJ GALOUCHË, DJ-anen e famshme nga Prishtina, Oda Haliti, do të prezantonin në këtë vend sqimatar të jetës së natës berlineze një pjesë të historisë së vendit të tyre që megjithëse ka mbrujtur breza të tërë vajzash dhe grash nuk tematizohet shumë: martesat e imponuara.

Fantazmat e të kaluarës

Image
Fatime Kosumi

Andrra u ka vënë atyre të njëjtin emër, aq të ngjashme janë fatet e tyre: Palinë. Palinë është vajza që e marton baba në moshën 16-vjeçare, që në fakt do një tjetër (Palinë), që merr vesh për fejesën kur shikon dasmorët që vijnë për ta marrë, që e ndien veten të "shituar” nga nëna e vet që nuk e paralajmëroi vajzën për atë që e priste (Moj nano), ashtu siç nuk e paralajmëroi edhe gjyshja nënën e saj kur e martoi në moshën 14-vjeçare. Një fat, të cilin Fatimja e njeh nga e ëma dhe tezet: "Ky fenomen ka qenë pjesë e fëmijërisë sime. Në e kemi ditur krejt se qysh është martuar nëna ime dhe nënat tona. Normalisht, ne vetë nuk e kemi perjetuar, por historitë e tyre ishin të pranishme si fantazma që sillen përreth e për të cilat nuk flitet edhe aq shumë", thotë Andrra në një intervistë për DW.

Edhe pse e lindur dhe rritur në Gjermani, Andrra thotë se këto histori janë ngulitur brenda saj më shumë se sa ka dashur ajo. "Janë traumat e nënave tona që na transmetohen edhe neve”, argumenton ajo në intervistën për DW shqip.

Fatime Kosumit iu desh një kohë e gjatë, siç rrëfen vetë, derisa i shfrytëzoi mundësitë që i jepte vendi i lindjes. Aq i madh ishte ndikimi që vinte nga prejardhja. Cikli "Palinë” që ka nxjerrë në treg vitin e kaluar duket se është hapi i parë i ballafaqimit me këtë të shkuar sa të pranishme, aq edhe të paqenë.

Rrugëtimi drejt vetvetes

Image
Pamje nga videoklipi Kalle Llamën

Vetëdijësimi për të hapur ato skuta të ndrydhura të ndërgjegjes do t'i kthehej në Berlin, ku vendosi të jetonte në vitin 2009 pas një qëndrimi shtatëvjeçar në Kosovë. Aty, në metropolin ku askush nuk e ndien veten të huaj, i lindi ideja të rëmonte në atë pjesë të folklorit rural shqiptar që rrëfente historitë e nënave të martuara me detyrim: „Ato këngë nuk janë poetike. Janë shumë të drejtpërdrejta, janë më shumë si piskama. Mua më pëlqen ajo mënyrë e drejtpërdrejtë ku teksti nuk zbukurohet nga poezia, si në këngët qytetare", thotë ajo.

Andrra përpiqet me këtë mënyrë që të mbushë edhe një boshllëk në muzikën pop: „Unë dua të tregoj historitë e personave të margjinalizuar që nuk kanë mundësi të flasin vetë për  jetën e tyre," thotë ajo.

Videoklipi i xhiruar në Kosovë „Kalle Llamën" ka si protagoniste kushërirat e saj, thuajse të gjitha nën njëzetë vjeç, nënat e të cilave janë martuar me imponim nga prindërit. Për ne dhe nënat tona ky ballafaqim ishte një çlirim, thotë ajo.

Çlirim edhe për publikun

„Melodi kometash" përfaqëson eurforinë që lind tek dëgjuesei ku dëgjon muzikë të padëgjuar kurrë më parë, shkruajnë hartuesit e programit të serisë së koncerteve në Kantine am Berghain.

I ngjashëm ishte efekti që pati  Andrra atë natë te publiku ku një pjesë shumë e madhe ishin shqiptarë nga Berlini, kryesisht frekuentues klubesh. Këtë radhë pati shumë prej tyre që iu desh të mbanin lotët. Thua, historia që rrëfente Andrra me atë gjuhën e thjeshtë arkaike të këngëve të dasmave rurale dhe me ata tinguj kosmikë që dukeshin sikur e çndërtonin realitetin për të cilin flisnin, t'u kishte zbuluar një pjesë të fshehur të hendekut mes prejardhjes dhe vendit ku jetonin./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat