Vrasja me eksploziv në Gjakovë, do të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes

Gjakova

Vrasja me eksploziv në Gjakovë, do të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes

Më: 8 maj 2023 Në ora: 15:32
Gjykata

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është aprovuar propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Dod Gjikolaj, avokatit Xhemajl Ademi, për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, në gjykimin për vrasjen me eksploziv.

Propozimi i avokatit Ademi, është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjikolaj po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A., duke vendosur material eksploziv, në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë së të ndjerit, e me këtë rast lëndime trupore kishte marrë edhe i dëmtuari A.K.

Gjithashtu, në seancën e së hënës, gjyatësi Rashkaj ka aprovuar edhe propozimin e avokatit Ademi për sigurimin e provës për hyrjet dhe daljet e të akuzuarit Gjikolaj nga sistemi për menaxhimin e kufirit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për periudhën kohore 11 shtator 2018 deri më 31 tetor 2018.

Lidhur me këto propozime, kundërshtime nuk kanë paraqitur prokurorja Ervehe Gashi, përfaqësuesi i të dëmtuarës H.A, avokati Prek Kola dhe të dëmtuarit F.A dhe A.K.

Paraprakisht, avokati Ademi ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet personi NN, që sipas tij, ky person në raportin hetues të 25 korrikut 2019, i cili gjendet në kallëzim penal, ka dhënë informata lidhur me veprimet e të akuzuarit Gjikolaj.

Mirëpo, këtë propozim e ka refuzuar gjykatësi Rashkaj, me arsyetimin se raporti i lartcekur nuk është propozuar si provë nga Prokuroria.

Tutje, seanca ka vazhduar me leximin e shkresave të lëndës, si dhe është bërë shikimi i video-incizimeve të 10 tetorit 2018 në vendin e ngjarjes.

I akuzuari Gjikolaj ka bërë vërejtje sa i përket leximit të shkresave të lëndës, duke i cilësuar si kontradiktore raportet në aktakuzë.

Sipa tij, raporti për numrin e telefonit “Vodafone”, ku thuhet se i akuzuari më 11 shtator 2018, në ora 11:18 minuta ka figuruar që është në Jug të Peshkopisë, është kontradiktor me raportin e sistemit për menaxhim të kufirit, nga i cili rezulton se në të njëjtën datë, në ora 10:32 minuta i njëjti ka kaluar pikën kufitare të Vërmicës.

Lidhur me këtë, prokurorja Gashi ka thënë se këto janë dy çështje të ndara, lëvizja e numrit të telefonit të cilat i përmban raporti i autoriteteve të Shqipërisë dhe lëvizjet e të akuzuarit Gjikolaj nga raporti i sistemit për menaxhimin e kufirit të Policisë së Kosovës, me të cilin vërtetohen hyrjet e të akuzuarit në Kosovë.

Tutje, i akuzuari Gjikolaj ka mohuar se faqja në Facebook “Duaje vendlindjen e pëllumbave” është adresa e tij dhe se për këtë çështje nuk është pyetur asnjëherë.

Për këtë, ka reaguar e dëmtuara F.A., e cila deklaratat e të akuzuarit Gjikolaj i ka cilësuar si të pavërteta.

Më pas, gjykatësi Rashkaj seancën e sotme e ka ndërprerë, ndërsa njoftoi se gjykimi në këtë çështje do të vazhdojë me daljen në vendin e ngjarjes më 22 qershor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2022, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A.

Sipas aktakuzës, Dod Gjikolaj, atë e kishte bërë në atë mënyrë që në ditën kritike, kishte vendosur një material eksploziv, në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë së tani të ndjerit, në momentin kur i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit, pikërisht kur tenton t’i mbyll dyert e oborrit, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon materialin eksploziv, ku me këtë rast mbetet i vdekur në vend, H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5 të Kodit Penal.

I njëjti po akuzohet edhe për veprën penale të posedimit të pa autorizuar të materialit eksploziv, të tipit, dhe të natyrës së panjohur nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat