Komisioni i Disiplinës dënon me dy ndeshje Shpëtim Duron - Bota Sot
Komisioni i Disiplinës dënon me dy ndeshje Shpëtim Duron

Futboll

E hënë, 28 maj 2018

Komisioni i Disiplinës dënon me dy ndeshje Shpëtim Duron

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:26

Komisioni i Disiplinës, në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka zyrtarizuar këtë të mërkurë vendimet e marra në lidhje me disa episode josportive që janë parë gjatë javës së kaluar në futbollin shqiptar.

Bie në sy ndëshkimi i ekipeve të Skënderbeut dhe Flamurtarit për sjellje të gabuar të spektatorëve me nga 100 mijë lekë secili, ndërkohë që Lushnja, për të njëjtën akuzë por që përsëritet, dënohet me një ndeshje pa tifozë kur të luajë si vendase.

Por ndëshkimi më i rëndë, nëse mund të quhet kështu, është ai që i jepet trajnerit Shpëtim Duro, për ofendim ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe shkelje të parimeve të “fair play”-t, gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes Kukësi-Flamurtari të datës 4 shkurt, me dy ndeshje pezullim dhe gjobë prej 100 mijë lekësh.

As lojtarët nuk kanë përfunduar të qetë javën e kaluar sportive, teksa futbollisti i Tiranës, Tonny Marwejje është dënuar me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje antisportive ndaj një kundërshtari.

Të dënuar janë edhe disa lojtarë të ekipeve të kategorive më inferiore, si Jaupi i Naftëtarit me 4 ndeshje pezullim, Zacellari i Maliqit me 2 vite pezullim, Kukli i Domosdovës me 4 ndeshje pezullim, etj..

Kundër vendimeve të Disiplinës lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test