Ja kush e kryqëzon De Biasin e Bunjakin!

Futboll

Ja kush e kryqëzon De Biasin e Bunjakin!

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 18:50
Bunjaki e De Biasi

Alban Meha u përzu nga kombëtarja kuqezi prej trajnerit Xhani De Biazi. Në kulmin e vet si lojtar, si pjesë e Konyasporit, sezonin e shkuar, “snajperi” nuk u ftua në kualifikueset e “Euro 2016”, as në finalet e Europianit të Francës. Ai ishte “viktima” e parë e De Biazit hundëpërpjetë, inatçor e hakmarrës me lojtarët, por nuk mbeti i vetmi. Dihen tashmë ato kuqezinj, që me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, iu bashkuan përfaqësueses së shtetit më të ri shqiptar në Ballkan. Kështu bëri edhe Meha, Shala, Rashica e të tjerë. Ndërkohë, 60-vjeçari nga Sarmede, edhe pse gjendet në pikën më kritike në krye të kombëtares shqiptare, ka vijuar me “kurbanët” e tij, shkruan telesport.  

Ergys Kaçe e pa veten në tribunë ndaj Spanjës, pastaj nuk u ftua fare për Izraelin. Shkëlzen Gashi ka nisur të harrohet, sepse nuk përmbush zgjedhjet teknike të teknikut italian, edhe pse po “pushton”Amerikën. Tani së fundi po përflitet edhe për Amir Abrashin, se gjendet në të tilla pozita, skajshmërisht antagoniste me De Biazin. Vëllai i Alban Mehës nuk ka qëndruar indiferent në këtë atmosferë të krijuar, ku këtej dhe andej kufirit janë kryqëzuar trajnerët e ekipeve përfaqësuese.

De Biazi i kuqezinjve dhe Bunjaki i verdhebluve. Ai ka publikuar në faqen e vet në Facebook të dy trajnerët, të cilëve u ka vendosur nga një kryq të kuq. Mesa duket, hidhërimi që përjetoi te Shqipëria, Alban Mehën po e ndjek edhe te Kosova, sepse nuk po aktivizohet. Por, të paktën atje thirret, nuk injorohet fare si nga De Biazi. Kjo është gjysma e së keqes për të, por më tepër kjo fotomesazh është një sinjal që dëshmon frymën kundërshtuese të trajnerit kuqezi, e cila ekziston dhe po forcohet dita-ditës brenda kombëtares shqiptare. Diçka, që nuk mund të mbulohet më nga askush. Pasojat, madje, janë qartësisht të lexueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat