FSHF bën hile me numrin e karrigeve të thyer, irritohet Partizani

Futboll

FSHF bën hile me numrin e karrigeve të thyer, irritohet Partizani

Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 15:42
Pamje nga thyerje e karrigeve

Pas betejës së përgjakshme në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena” në ndeshjen Partizani-Skënderbeu, një tjetër front lufte është hapur gjatë ditës së djeshme. Tani dueli është zhvendosur te bilanci i dëmeve të evidentuara. Mes deklaratës së policisë së Elbasanit dhe drejtorisë së stadiumit dhe FSHF ka një mosakordim të dukshëm shifrash për numrin e stolave të dëmtuar, si dhe për vlerën që i faturohet Partizanit.

Zakonisht, si praktikë pune e policisë, deklarata për dëmet e shkaktuara bëhet pasi ato të jenë evidentuar dhe verifikuar në terren. “Në orën 18:50, gjatë zhvillimit të ndeshjes Partizani-Skënderbeu në stadiumin “Elbasan Arena”, nga veprimet e tyre janë thyer 120 stola të stadiumit, janë hedhur mjete piroteknike (fishekzjarrë) në fushë”, kështu bëhej e ditur mes të tjerash në deklaratën e shpërndarë dje për mediat nga Policia e Qarkut Elbasan.

Ndërsa FSHF, në këtë rast, ka përdorur një hile duke e rritur mbi dy herë numrin e stolave të dëmtuar. Në emailin që drejtori i stadiumit i ka nisur federatës, e cila ia ka përcjellë Partizanit, bëhet e ditur si më poshtë:

“Pas ndeshjes Partizani-Skënderbeu, të luajtur dje (të dielën) në ‘Elbasan Arena’ kemi konstatuar një dëm prej 307 stolash të thyer në stadium në anën e tifozëve të Partizanit. Dëmi do i faturohet klubit Partizani, sipas marrëveshjes me të në masën prej 921 000lekës të rinj (3000 lekë/stoli). Nëse ju duhet ndonjë informacion tjetër shtesë, ju lutem më thoni. Lutemi t’i faturoni klubit Partizani këtë shumë në mënyrë që të bëjë pagesën”.

Hilja nuk qëndron vetëm te numri i stolave, por edhe te vlera. Sipas drejtorisë së stadiumit, një stol i sektorit ku ishin të kuqtë kushton 3000 mijë lekë të rinj, ndërkohë, kur është ndërtuar stadiumi, vlera e një stoli në atë sektor llogaritej në 10 euro copa. Sipas shifrave të policisë, dëmi shkon 1200 euro, ndërkohë që bilanci i FSHF-së kap një kosto prej 9.21 milionë lekësh. Pas publikimit të këtyre shifrave, për të kuqtë rëndom lind pyetja: Kush gënjen, Policia e Elbasanit apo FSHF dhe drejtoria e stadiumit?

Shifrat e mësipërme i kanë irrituar pa masë drejtuesit e Partizanit, të cilët kanë mbetur të habitur nga shifra e faturuar nga FSHF, kur policia ka një version tjetër.

“FSHF na ka lajmëruar dje për dëmet që kanë shkaktuar tifozët e Partizanit në stadium, ku sipas tyre klubi ynë duhet të paguajë rreth 10 milionë lekë. Por e habitshme është që kanë një rritje abuzive shifrash për rastin në fjalë. Policia e Elbasanit jep 120 stola të thyer, ndërsa federata na ka lajmëruar për 307 stola të dëmtuar. Përpos kësaj, e habitshme është vlera e një stoli që na është faturuar, 30 mijë lekë. Nuk e di se me çfarë tenderi e kanë blerë një stol me vlerë 30 mijë lekë, kur dihet sa është vlera e tregut, meqë po merremi me stadiumin tonë jemi në brendësi të kostove.

Në këtë rast dikush gënjen, Policia e Elbasanit ose FSHF dhe drejtoria e stadiumit? Ne nuk e ndiejmë veten fajtorë për këtë rast, prandaj është mirë që federata këtë faturë t’ia kalojë policisë dhe arbitrit Enea Jorgji, që janë shkaktarët e incidentit të ndodhur në stadium”, u shpreh për “Panorama Sport” Sekretari i Përgjithshëm dhe avokati i klubit Partizani, Gerald Burba.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat