Skenderbeu, duhet reagim kampionesh!

Futboll

Skenderbeu, duhet reagim kampionesh!

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 19:40
ilustrim

Pas 6 fitoresh radhazi ka ardhur dhe shija e parë e hidhur për këtë sezon te Skënderbeu. Kampionët pësuan humbjen e parë sezonale në kryeqytet përballë Tiranës, një ndeshje ku skuadra korcare ishte larg formës që ka shfaqur në takimet e kaluara përballë rivalëve të drejtëpërdrejtë. Një këmbanë zgjimi ndoshta edhe pas vetëkënaqësisë së prodhuar nga pikët e plota në javët e para të kampionatit. Një sinjal të ngjashëm skuadra korcare e kishte marë në fakt edhe në ndeshjen e parë të edicionit të ri, në Superkupën e Shqipërisë ku u mposhtën me rezultatin 3-1 nga Kukësi dhe është pikërisht ndeshja e radhës me skuadrën e Ernest Gjokës, ku Skënderbeut i duhet të demonstrojë se paraqitja ndaj Tiranës ishte një aksident nga ato që ndodhin gjatë rrugës dhe jo një karakteristikë që mund të cënojë ecurinë në këtë kampionat të gjatë.

Vecori e skuadrave dominuese në kampionatet ku luajnë, është ajo e një reagimi prej kampionësh, e një skuadre që reagon shpejt duke mos lejuar një moment negativ të kthehet në një ecuri që penalizon kampionatin dhe këtë në kampin e Agostinellit e dinë mirë. Italiani ua ka bërë të qartë pakënaqësitë e tij lojtarëve në analizën e sfidës me Tiranën dhe tani në Korcë presin përgjigjen në fushë këtë të shtunë, në kryendeshjen e javës së 8 të kampionatit. Pas asaj disfate në kryeqytet oreksi patjetër që është rritur te vetë Tirana, Kukësi e Partizanim, ndaj te Skënderbeu duhet vërtet një reagim prej kampionësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat