Leverkusen kërkon trofeun e dytë evropian

Futboll

Leverkusen kërkon trofeun e dytë evropian

Më: 21 maj 2024 Në ora: 17:40
Bajer Leverkusen

Bajer Leverkusen është në kërkim të një tresheje trofesh, pas titullit në Gjermani.

Të mërkurën në Dublin, kundër Atalantës, do të synojë trofeun e dytë evropian pas Kupës UEFA më 1988.

Bajer Leverkusen rishkroi historinë e futbollit gjerman, duke futur emrin në librin e artë të fituesve të Bundesligës, duke i dhënë fund dominimit 11-vjeçar të Bajernit të Mynihut, për më tepër pa asnjë humbje, si askush tjetër më parë.

Por sezoni i mrekullive nuk ka mbaruar ende për skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso, në kërkim të një tresheje të madhe trofesh. Skuadra e aspirinave ka edhe dy ndeshje në këtë sezon, finalen e Kupës së Gjermanisë dhe atë të Europa League, kundër Atalantës.

Kjo e fundit është më e vështirë, përballë një skuadre gjithashtu spektakolare, por Bajer Leverkusen shkon si favorit në takimin e Dublinit, mbi valën e entuziazmit për pathyeshmërinë që zgjat prej 51 ndeshejsh në të gjitha kompeticionet. Për skuadrën gjermane e nesërmja do të jetë finalja e tretë evropiane, në kërkim të trofeut të dytë.

Më 1988, nën drejtimin e Erich Ribek, fitoi Kupën UEFA, me penallti pas rezultateve 0-3 dhe 3-0 kundër Espanjolit të Barcelonës në dy takime spektaktli. Më 2002, në finalen e madhe të Champions League në Glasgou u dorëzua përballë magjisë së Zinedine Zidane dhe yjeve të tjerë të Real Madridit, fitues 2-1 në një tjetër finale spektakolare.

Me tri humbjet në finishin e tre kompeticioneve, skuadra mori nofkën Neverkusen, por atë që nuk e bënë lojtarë të kalibrit të Michael Ballack, Lucio e Ze Roberto tani janë gati ta bëjnë Wirtz, Xhaka e Grimaldo, të udhëhequr nga fituesi Alonso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat