Dy skuadrat finaliste kanë vetëm një dëshirë të përbashkët

Futboll

Dy skuadrat finaliste kanë vetëm një dëshirë të përbashkët

Më: 21 maj 2024 Në ora: 15:18
Pamje

Skuadrat e Voska Sportit dhe Tikveshit, për herë të parë do të luajnë në finale të Kupës së Maqedonisë.

Që të dy ekipet kanë dëshirën e njëjtë – të arkëtojnë trofeun e Kupës dhe të sigurojnë kualifikimin në garat evropiane.

“Kur jemi tashmë në finale, sigurisht që jemi këtu për ta fituar. Nuk do të jemi modestë, duam të fitojmë kupën.

Besoj se lojtarët e mi do të jenë sa më të motivuar dhe këtë sezon do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Gjorgi Mojsov, trajneri i Tikveshit.

Voska Sport pati një sezon debutues të suksesshëm në elitën e futbollit vendor, pasi që arriti të sigurojë mbijetesën dhe tani do të luajë në finalen e Kupës.

“Dikur kam qenë pjesëmarrës në finale si trajner i Metalurgut dhe humbëm nga Rabotniçki. Shpresoj se tani me Voska Sport do të jemi më të suksesshëm dhe do t’i realizojmë qëllimet tona”, tha mes tjerash Srgjan Zaharievski.

Me të njëjtin optmizëm ishin edhe kapitenët e të dyja skuadrave, Aleksandar Varelovski dhe Kostadin Zahov.

“Tikveshi ka një traditë të madhe dhe tani për herë të parë do të luajmë në finale të Kupës. Do të bëjmë maksimumin, edhe më shumë, që i gjithë Kavadari të festojë”, tha Varelovski.

Zahov ka fituar trofe, por ai beson se kjo është një sfidë e re e madhe, për të fituar kupën e parë historike me ekipin e Ohri.

“Është shumë ndryshe, ndoshta një sfidë shumë më e madhe. Shpresoj që të arrijmë kupën. Jemi afër kupës, por finalja duhet luajtur në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kostadin Zahov.

Për herë të parë në futbollin vendor, në finale e Kupës së Maqedonisë do të aktivizohet sistemi VAR në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat