Egnatia ka një ndërthurje mes lojtarëve të sprovuar të futbollit shqiptar dhe atyre, që kanë dëshmuar se janë të vlefshëm në Superiore.
Një nga lojtarët, që prej dy sezonesh ka qenë një pikë fikse në formacionin titullar te rrogozhinasit është Abdurrahman Fangaj. Mbrojtësi i djathtë, pas sfidës me Vllazninë foli për “Panorama Sport”, ku u shpreh se e përjetoi maksimalisht duelin me ekipin e tij të vendlindjes.
Fangaj thekson se Egnatia do të synojë triumfin me Partizanin në finale, pasi ekipi rrogozhinas është ndërtuar për të fituar trofe në ketë sezon.
Fangaj, si e përjetuat këtë sukses kundër ekipit të vendlindjes?
Jam i lumtur që ia dolëm të shkojmë në finale. Kundër Vllaznisë është gjithmonë një përjetim emocional, pasi luaj kundër familjes time të madhe.
Falënderoj të gjithë tifozët shkodranë, që ishin të pranishëm në stadium dhe dhuruan atmosferë. I gëzohem faktit që së bashku me ekipin ia dolëm të arrinim objektivin për të shkuar deri në fund objektivit, drejt titullit kampion.
Do të luani në finale kundër Partizanit kampion në fuqi, sa shanse keni të shpalleni kampion?
Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi do ty luajnë dy ekipet me më kualitet. Ne kemi shumë besim që në finale do të bëjmë më të mirën për të fituar trofeun. Përtej faktit se Partizani është kampion në fuqi, Egnatia është ndërtuar për të fituar këtë sezon dhe ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar titullin kampion.