Vitin e kaluar Eden Hazard deklaroi tërheqjen nga futbolli, me belgun që në aventurën e tij te Real Madrid u penalizua nga dëmtimet e shumta duke mos u rikthyer kurrë në versionin që shfaqi te Chelsea.
Por, kur ka kaluar thuajse një vit nga tërheqja e Hazard, ish-sulmuesi vijon të “peshojë” në bilancin ekonomik të spanjollëve. Hazard firmosi në 2019-tën një kontratë deri në vitin 2024 me Realin dhe spanjollët janë të detyruar ende që të respektojnë klauzolat e kësaj kontrate.
Kështu, falë kualifikimit në finalen e Champions League, është klubi i Chelseat që do të përfitojë pesë milionë euro nga Reali.
Kjo klauzolë ishte e përfshirë në kontratën e Hazard dhe “Blutë e Londrës” presin kalimin e parave në llogarinë e tyre. Vera e këtij viti, do të jetë edhe momenti që Real Madrid do të shpëtojë përfundimisht nga Eden Hazard.