Gati “valixhet” për sulmuesit shqiptar

Futboll

Gati “valixhet” për sulmuesit shqiptar

Më: 12 maj 2024 Në ora: 11:12
Manaj e Muçi

Duket se vera do të jetë më e nxehtë sa pritet, sidomos për dy lojtarë të Kombëtares shqiptare.

Bëhet fjalë për Ernest Muçin dhe Rei Manajn, performanca e të cilëve nuk do t’i mbajë gjatë në kampionatin turk.

Rei është në shënjestrën e disa ekipeve, të cilët sipas zyrtarëve të klubit kanë paraqitur ofertë, ndërsa për Muçin, Aston Vila kërkon të mos humbë më kohë dhe ta afrojë në gjirin e saj për sezonin e ardhshëm, duke i bërë një ofertë zyrtare Beshiktashit me hapjen e afatit të transferimeve.

Aston Vila po përgatit një ofertë për Ernest Muçin. Kështu të paktën raportojnë mediat pranë klubit.

Trajneri Unai Emeri ka miratuar personalisht këtë lëvizje dhe padyshim pas progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë ku ka marrë një skuadër që luftonte për mbijetesën në kategori dhe e ka dërguar në vendin e katërt, me diferencë prej 7 pikësh nga Totenhemi.

Kështu, me tri ndeshje të mbetura deri në fund, skuadra që kërkon Ernest Muçin do të kthehet me shumë mundësi të luajë në Ligën e Kampioneve që nga viti 1980. Një objektiv për të cilin thuhet se Aston Vila pati interes edhe në janar.

Deri tani fantazisti ka shënuar tre herë në 8 ndeshje për Beshiktashin, por tifozët e Aston Vilës do ta kujtojnë atë për tre golat që ai shënoi në dy ndeshjet kundër tyre në fillim të sezonit, teksa luante për Legia Varshavën. Por, gjithsesi nuk do të jetë aq e lehtë, pasi presidenti i Beshiktashit pak kohë më parë u shpreh: “Një klub nga Europa bëri një ofertë prej 20 milionë eurosh për Ernest Muçin. Por, unë e refuzova ofertën. Ai është një lojtar me potencial të madh dhe ne duam që ai të qëndrojë me ne sezonin e ardhshëm”, tha Asan Arat. Muçi përfiton rreth 57 mijë euro në javë dhe ka kontratë deri në vitin 2027, por në Angli flitet se një “ofertë zyrtare” është në rrugë e sipër për sulmuesin e Kombëtares.

Manaj? Pikë e nxehtë” në Turqi është edhe Rei Manaj. Sulmuesi po shkëlqen këtë sezon me Sivasporin dhe klubi turk vështirë se do t’i refuzojë ofertat që kanë mbërritur për të. Faktin që disa klube kanë kërkuar sulmuesin, e thotë edhe trajneri i ekipit në konferencën para ndeshjes së fundit: “Ka pasur oferta transferimi nga 2-3 ekipe.

Klubi është duke i vlerësuar këto oferta. Gokhan Karagol është njeriu që merret me këtë punë dhe ai është duke negociuar.

Më pas, bordi i ekipit do t’ia përcjellë presidentin. Sigurisht, ajo që është e rëndësishme këtu, është interesi i Sivasporit”, tha Bulent Ugun. Për sulmuesin, siç raportojnë mediat turke, ka një interes nga Beshiktashi, por edhe dy skuadra nga La Liga, me Sivasporin që mendohet të kërkojë rreth 10 milionë euro për shërbimet e Rei Manajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat