Partizani merr vendin e dytë

Futboll

Partizani merr vendin e dytë

Më: 9 maj 2024 Në ora: 16:42
Partizani

Partizani e sheh veten forcë të dytë të kampionatit, një javë para fundit të kampionatit të rregullt. “Demat” shfrytëzuan barazimin e Vllaznisë me Tiranën, për t’i parakaluar shkodranët në renditje.

Edhe pse tashmë matematikisht Partizani nuk e arrin dot Egnatian që e ka siguruar vendin e parë, vendi i dytë ka një rëndësi të madhe për “Final4”.

Sipas rregullores, dy skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë do të kenë avantazh barazimin në gjysmëfinalet e “Final4”. E thënë më thjeshtë, në rast se skuadra e renditur në vendin e parë dhe të dytë, barazon në gjysmëfinale do të kalonte në finale.

Vllaznia e ka ndërlikuar gjithçka, pasi për t’u rikthyer në vendin e dytë, jo vetëm duhet të fitojë ndaj Skënderbeut, por duhet që të shpresojë që Partizani të lërë pikë ndaj Erzenit.

Ndaj, vendi i dytë për Partizanin ka një rëndësi të veçantë. Të kuqve do u mjaftonte një fitore në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit të rënë nga kategoria për të qëndruar të qetë në vendin e dytë. Shorti për fazën “Final4” do të hidhet të dielën, ku do të pëcaktohen dhe çiftet gjysmëfinale.

Ndeshjet gjysmëfinale të “Final4”  do të luhen në datat 17 dhe 19 maj, ndërkohë që finalja e e madhe në datën 26 maj. Skuadra që do të fitojë “Final4” do të përfaqësojë Shqipërinë në fazën e parë kualifikuese të Champios League, ndërkohë do të marrë dhe 100 milionë lekë të vjetra shpërblim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat