Ylber Ramadani “maratonomaku” i Serisë A, kryeson në kilometrat për ndeshje

Futboll

Ylber Ramadani “maratonomaku” i Serisë A, kryeson në kilometrat për ndeshje

Më: 27 prill 2024 Në ora: 08:37
Ylber Ramadani

Lajmet e mira për lojtarët shqiptarë vijnë sidomos nga dy kategoritë e futbollit italian, aty ku luan një kontigjent i madh në numër dhe i rëndësishëm për ekipin tonë përfaqësues. Lojtarë si Gjimshiti, Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Bajrami, Asllani e ndonjë tjetër janë bërthama e skuadrës përfaqësuese. Një nga elementët që ka spikatur këtë sezon, në kuptimin e plotë të fjalës, është padyshim Ylber Ramadani, një “motor” i skuadrës së Leçes në Serie A dhe lojtar që vrapon shumë në fushë duke qenë ndër më të preferuarit për trajnerët si në ekipin e tij në Serie A ashtu dhe në Kombëtaren e Shqipërisë. Nuk është rastësi që Ramadani është zgjedhur nga trajneri Silvinjo si futbollist titullar në të gjitha ndeshjet e përfaqësueses gjatë fazës eliminatore. Nga ana tjetër, edhe kuqezinjtë e tjerë po kalojnë momente të mira, të paktën jë pjesë e titullarëve, si Hysaj, Bajrami e ndonjë tjetër, e padyshim edhe kapiteni Gjimshiti, lojtari më stabël nga përfaqësuesja jonë në top-ligat e mëdha europiane.

“Maratonomak” në Serie A

Ylber Ramadani është edhe zyrtarisht i konfirmuar nga statistikat, “maratonomaku” i Serie A. “Transfermarkt.it”, shpërndau së fundmi lojtarët me mesataren më të lartë të kilometrave të përshkruara gjatë një 90-minutëshi deri në këtë pikë të sezonit në elitën e futbollit italian. Mesfushori i kombëtares që aktivizohet me Leçen, është i pari me një mesatare prej 12.098 kilometrash në 30 ndeshje të luajtura. 28-vjeçari, lë pas në këtë renditje emra si Ferguson, një nga zbulimet e Bolonjës së Thiago Motëss, apo edhe Kristanten e Romës e Lokatellin e Juventus. Në këtë sezon, Ramadani rezultoi si një nga lojtarët më të spikatur të Leçes duke u konsideruar si një prej titullarëve fiks të skuadrës. Së fundmi, mesfushori po kalon një infeksion, por që nuk do ta mbajë gjatë jashtë fushave të lojës me Ramadanin që me shumë mundësi do të rikthehet që këtë fundjavë në sfidën që Leçe luan ndaj Monzës.

Berisha një tjetër element cilësor shqiptar tek Leçe

Leçe këtë sezon duket se po shkon më e qetë se zakonisht drejt mbijetesës në Serinë A, pasi ka marrë disa rezultate të mira me trajnerin Luka Goti. Ndaj edhe ky i fundit ka mundësinë që në ndeshjet që mbeten deri në mbyllje të kampionatit, të provojë disa të rinj të talentuar mes lojtarëve me eksperiencë. Një prej tyre është edhe mesfushori i Shpresave kuqezi, Medon Berisha, i cili ka luajtur disa minuta në radhët e ekipit dhe ka dhënë sinjale mjaft të mira me klubin e Serisë A. I pyetur sot në konferencë për shtyp rreth Berishës, trajneri nuk ka ngurruar të shprehë vlerësimin e tij për futbollistin shqiptar. “E cilësoj një djalosh me shumë perspektivë. Është 21 vjeç, nuk është i ri si moshë, por i ri si rrugëtim. Duhet që ne t’i mundësojmë të bëjë rrugëtimin e duhur, që të bëhet një rreth virtuoz. Duhet të lexoj situatat edhe për rrugëtimin individual të djemve. E përsërit që kam vlerësim shumë të lartë nga pikëpamja futbollistike”, tha Goti para gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat