Dumfries i bën thirrje Interit

Futboll

Dumfries i bën thirrje Interit

Më: 24 prill 2024 Në ora: 11:53
Dumfries

Denzel Dumfries pritej të ishte një nga futbollistët që do të largoheshin nga Interi gjatë merkatos së verës, megjithatë duket se holandezi ka ndërruar plan dhe pret një tjetër ofertë për të rinovuar.

Anësori refuzoi ofertat për rinovim në dhjetor të vitit të kaluar, duke pretenduar një pagë shumë më të lartë sesa ajo që ishin të gatshëm t’i jepnin zikaltrit.

Megjithatë pas festës për titullin Dumfries deklaroi se është shumë i lumtur te Interi dhe se pret që bisedimet për rinovimin e kontratës të nisin së shpejti, pasi dëshiron të qëndrojë gjatë në Milano.

“Të them të drejtën muajt e fundit nuk ka pasur negociata, pasi kemi qenë të përqendruar te puna në fushë.

Kemi fituar një titull të merituar dhe besoj se shumë shpejt do të ulemi sërish në tryezë për të diskutuar për rinovimin.

Jam shumë i lumtur te Interi dhe dua të rri sa më gjatë këtu, ndaj besoj që do ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, u shpreh holandezi.

Dumfries ka kontratë me Interin deri në verën e 2025-ës dhe pa një marrëveshje rinovimi, pritet të largohet në fund të sezonit, teksa ofertat për të nuk mungojnë, kryesisht nga skuadra të Premier Leagues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat