Inzaghi: Kam ndjesi pozitive!

Futboll

Inzaghi: Kam ndjesi pozitive!

Më: 21 prill 2024 Në ora: 16:10
Simone Inzaghi

Milan dhe Inter përballen mbrëmjen e së hënës në derbin e dytë të këtij sezoni.

Një derbi vendimtar për zikaltërit pasi një trepikësh në këtë sfidë, do t’i garantonte atyre kënaqësinë e festës së titullit numër 20 në histori duke parakaluar pikërisht “kushërinjtë” e tyre.

Në konferencën për shtyp, trajneri i Inter, Simone Inzaghi theksoi se ka ndjesi pozitive ndërsa nuk i kurseu elozhet për skuadrën e tij.

“Derbi mbetet gjithnjë një derbi, dhe unë kam ndjesi pozitive. Këto ditë kemi punuar shumë dhe e hëna mund të jetë një ditë speciale për ne, duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur në këtë sezon, jemi shumë pranë arritjes së objektivit.

I kemi fituar pesë derbit e fundit, por kjo nuk do të thotë asgjë. Përballë do të kemi një skuadër që do të bëj gjithçka për të na e vështirësuar jetën. Sigurisht që në futboll trofetë kanë shumë rëndësi, por unë jam i lumtur edhe për frymën që kemi krijuar në këtë klub.

Jetoj në Milano prej tre vitesh dhe menjëherë pas tre muajve të parë, tifozët më komplimentonin për lojën e skuadrës, pavarësisht renditjes në klasifikim dhe për mua nuk ka kënaqësi më të madhe.

Kanë qenë tre vite shumë intensive, kemi fituar shumë, por edhe kemi humbur. Por, nuk jemi shqetësuar pas humbjeve dhe kemi punuar njësoj, kam pasur fatin të kem në dispozicion lojtarë të mëdhenj.

Cikli i Inter duhet të vijojë me patjetër, drejtuesit kanë filluar të lëvizin që kjo skuadër të ketë vazhdimësinë”, u shpreh Inzaghi.

Derbin mes Milanit dhe Inter mund ta ndiqni në DigitAlb/SuperSport duke nisur nga ora 20:45 e së hënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat