​Presioni mbi gjyqtarët e Superligës vlerësohet i panevojshëm dhe i tepruar

Futboll

​Presioni mbi gjyqtarët e Superligës vlerësohet i panevojshëm dhe i tepruar

Më: 13 prill 2024 Në ora: 12:17
Superliga e Kosovës

Xhirot e fundit të Superligës së Kosovës në futboll janë karakterizuar me shumë reagime të klubeve të ndryshme, duke pretenduar se gabimet e gjyqtarëve po ndikojnë direkt në rezultatet e ndeshjeve. Kjo ka bërë që presioni publik mbi gjyqtarët të jetë shumë i lartë, sidomos tek ata që mund të kenë më pak përvojë në ndarjen e drejtësisë.

Ish-gjyqtari i futbollit, Hajriz Hajdari ka thënë se caktimi i gjyqtarëve me anë të shortit ka lënë hapësirë për kritika të mëdha duke bërë që disa gjyqtarë të rinj të caktojnë në ndeshje derbi.

Hajdari: Caktimi i gjyqtarëve me short vendim i gabuar i FFK-së

“Për mua është i gabuar vendimi i shortit sepse pikërisht për këtë mund ta përcaktoj një gjyqtar, jo se është gjyqtar që nuk mund të gjykojë ose nuk di të referojë, por janë gjyqtarë shumë të rinj që pritet të formohen, por duhet punuar për atë gjyqtar dhe të mos e fusim për ta djegur. Janë disa gjyqtar të rinj që digjen, janë disa gjyqtar të rinj që kanë një përkrahje nga anash, por nuk kanë ata kapacitet për të referuar sot ndeshje të Superligës sepse Superliga e Kosovës sot ka shpenzime shumë, sot Superliga e Kosovës del në Evropë dhe mos një gjykim real ose mos një gjykim i papërgatitur...janë disa gjyqtarë që nuk mund t’i përballojnë situatës në fushë sepse ka presione sepse ekipet duan të dalin në Evropë dhe aty e kanë qëllimin”, shtoi Hajdari.

Por analisti Alban Lumi vlerëson se reagimet e klubeve në shumicën e rasteve janë të ngutshme dhe të gabuara.

Lumi: Gara në ligë është shumë e nxehtë dhe mund të kemi edhe ndonjë gabim të gjyqtarëve

“Janë disa raste ku besoj që drejtuesit e klubeve duhet të konsultohen me rregulloren e garave dhe të mos thirren në gjykime të gabueshme të personave zyrtar pa i ditur mirë rregullat. Sigurisht që pranvera gjithmonë ka qenë e nxehtë dhe gabimet e gjyqtarëve edhe mund të jenë evidente, por megjithatë besojmë fuqishëm që nuk janë të qëllimshme dhe forma me short i ka hequr të gjitha dyshimet që po delegohet një gjyqtar i caktuar në një ndeshje te caktuar. Andaj pak është edhe fati tek shorti dhe sigurisht që edhe federata por edhe të gjithë akterët futbolldashës të futbollit kërkojnë që gjyqtarët të jenë sy qelë. Pra po e them prapë, pranvera gjithmonë është e nxehtë, vendoset cila skuadër do të largohet, cilat në barazh, cilat në garat evropiane dhe cila skuadër do të shpallet kampion”, theksoi Lumi.

Madje, ish-gjyqtari Hajdari vë në pah faktin se edhe pajisjet e sistemit VAR në Superligë, nuk janë më të mirat e mundshme dhe ato determinojnë disa gabime të gjyqtarëve.

Hajdari: Pamjet që ofron VAR-i nuk janë profesionale

“Mua më ka rënë rasti kur kam qenë vëzhgues i futbollit, kam parë që tek dhoma e VAR -it nuk e kanë kjartësinë si duhet ta kenë. Nuk i kanë kushtet ideale apo ekranet nuk janë të profesionalizuara për këtë drejtim. Mund të bëjnë gabime sepse nëse është marrë incizimi nga kamerat prej një pozicionit të largët dhe të ofrohet për ta parë nga afër, aty automatikisht u humb pamjet dhe aty nuk shihen më as vijat sepse trashen edhe vijat dhe nuk shihet topi a është brenda po jashtë, në dorë apo në këmbë”, deklaroi Hajdari.

Sipas tij, përkundër disa gabimeve, gjyqtarët kosovarë janë ndër më të mirët në rajon dhe se presioni mbi ta është i panevojshëm.

Hajdari: Gjyqtarët vendorë janë ndër më të mirë në rajon

“Kosova ka gjyqtarë shumë të mirë, krahasohemi lirisht me rajon, gjyqtarët tanë i kemi të atij niveli dhe ka gjyqtar që i kemi mbi nivelin e rajonit si Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi...I kemi gjyqtarët e përgatitur, janë duke e dëshmuar edhe në Evropë gjyqtarët që janë të përgatitur. Gjyqtarët tanë më shumë kanë presion në Kosovë se sa në Evropë. Gjyqtarët tanë gjithmonë marrin nota pozitivë në Evropë, tek ne kemi ankesa ndaj atyre gjyqtarëve”, tha Hajdari në fund.

Ndryshe, Superliga e Kosovës është futur në fazën finale të saj dhe po zhvillohet një luftë e ashpër për titull mes Ballkanit, Llapit dhe Dritës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat