Tirana, mediokriteti në shifra

Futboll

Tirana, mediokriteti në shifra

Më: 9 prill 2024 Në ora: 16:16
Tirana

Vendi i gjashtë, 10 fitore, 10 barazime e 10 humbje në 30 javë kampionat, janë shifrat që ilustrojnë më së miri sezonin mediokër të Tiranës.

E cilësuar në start si një nga skuadrat pretendente, në mos pretendentja kryesore për titullin, skuadra bardheblu është ndoshta zhgënjimi më i madh i këtij sezoni.

Shumë nuk e diskutonin hyrjen në “Final Four” për Tiranën, por aktualisht është jashtë saj dhe e diskuton në luftë me dy skuadrat që sezonin e kaluar luanin në Kategorinë e Parë, Dinamon e Skënderbeun.

49 golat e shënuar janë ndoshta i vetmi tregues për të cilin Tirana mund të krenohet, duke qenë skuadra që ka shënuar më shumë, por njëherazi është edhe skuadra që ka pësuar më tepër, plot 46 gola në 30 javë, më keq edhe se dy skuadrat e vendeve të fundit në renditje.

Në vitin 2024, bardheblutë kanë vetëm tri fitore në 12 ndeshje, dy kundër Dinamos e një kundër Kukësit, ndërkohë që në ndeshjen e fundit u frenua nga Skënderbeu që luajti pothuajse gjatë gjithë lojës me 10 lojtarë.

Sigurisht që katërshja finale është ende e arritshme, pasi vetëm tri pikë e ndajnë Tiranën nga Dinamo, ndërkohë që në mes është edhe Skënderbeu, por ecuria, sidomos e muajve të fundit, nuk është me hap kampionësh dhe imazhin nuk mund ta përmirësojë as dalja në gjysmëfinalen e Kupës, ku gjithsesi e ka humbur 2-0 ndeshjen e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat