Prishtina e Dinamo përfundojnë në disiplinor

Futboll

Prishtina e Dinamo përfundojnë në disiplinor

Më: 3 prill 2024 Në ora: 11:57
Pamje nga një ndeshje

Prishtina dhe Dinamo kanë përfunduar në disiplinor me vendim të Komisionit të Garave të Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, i cili u mblodh dje.

Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për të bërë inicime disiplinore ndaj:

“FC ”Prishtina”. Motivi: Në minutat 25, 28, 47 dhe 48 të ndeshjes së xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës, Prishtina – Ballkani, tifozët ndezin dhe hedhin mjete piroteknike, shurdhuese brenda rrethojës së fushës, ndërkaq në min e 79–të të ndeshjes, shajnë dhe ofendojnë në kor gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Prishtina – Ballkani” dhe ndaj:

“KF ”Dinamo”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A, Dinamo- Suhareka, derisa personat zyrtar nën përcjellje të policisë po shkonin në zhveshtore, në hyrje të tunelit një person i paautorizuar sulmon me grushta gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe protokolit zyrytar të ndeshjes Dinamo-Suhareka.”

Gjithashtu, në disiplinor përfundoi edhe menaxheri i Dukagjinit, Ilir Desku për shkak se e pengoi lëvizjen e gjyqtarit anësor në vijën kufizuese të fushës dhe në një moment e kap atë për dore, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt në ndeshjen Gjilani – Dukagjini.

Edhe trajneri i Flamurtarit, Liridon Leci përfundoi në disiplinor pasi “pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes me Ramiz Sadikun, në zhveshtoret e lojtarëve e ka goditur me shkelm lojtarin me nr 6 te ekipit mysafir, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt.”

Po ashtu, në disiplinor përfundoi edhe drejtori sportiv i Ramiz Sadikut, Betim Sylejmani pasi në duel me Flamurtarin, “në min e 53-të pas akordimit te penalltisë për ekipin vendas ndëshkohet me karton të kuq, pas ofendimeve të vazhdueshme në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe gjyqtarit të katërt".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat