Përballje titulli në Angli, Manchester City - Arsenali

Futboll

Përballje titulli në Angli, Manchester City - Arsenali

Më: 31 mars 2024 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

As pashkët nuk e ndalin futbollin në Angli, aty ku këtë të diel vjen një superpërballje, një duel i nxehtë dhe mjaft i rëndësishëm për titullin si ai mes Manchester Cityt dhe Arsenalit, dy skuadra që bashkë me Liverpoolin, po ofrojnë një garë spektakolare për të triumfuar në Premier League.

Dy skuadrat do të përballen në orën 17:30 në “Etihat Stadium” për të ofruar një nga pasditet më spektakolare të futbollit britanik, me fituesen që do të hedhë një hap të rëndësishëm në garën për titullin, që ka hyrë në sprintin final.

Pep Guardiola përballë Mikel Artetës, ose mësuesi përballë nxënësit, matin forcat sërish si kundërshtarë, pasi e bënë këtë edhe sezonin e kaluar, me katalanin e Manchester City-t që fitoi duelin direkt dhe më pas edhe titullin kampion.

Megjithatë “topçinjtë” vijnë më të pjekur dhe me më shumë eksperiencë këtë sezon, ndaj janë gati të servirin një hakmarrje të nxehtë, duke lënë pas në garën për titull, kampionët në fuqi të Manchester Cityt.

Skuadra e Pep Guardiolës, që kërkon titullin e katërt radhazi në Premier League, ka fituar 12 nga 13 ndeshjet e fundit në kampionat kundër Arsenalit, me humbjen e vetme të pësuar në fillim të këtij sezoni, 1-0 në “Emirates Stadium”.

“Citizens” synojnë gjithashtu të vendosin një tjetër rekord, atë të dy “tripletave” radhazi, pasi janë në fazën çerekfinalet e Champions Leagues, në gjysmëfinalet e FA Cup dhe plotësisht në garë për titullin kampion.

Gjithsesi emocionet e Premier League të dielën nisin më herët në orën 15:00, pasi në fushë zbret një tjetër skuadër që lufton për titullin kampion, Liverpooli i Jurgen Klopp.

“The reds” do të presin në shtëpi Brightonin e De Zerbit, me synim marrjen e pikëve maksimale, që do ta mbanin në krye dhe me shpresën e një barazimi në përballjen mes rivalëve, Man. City e Arsenal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat