Shpëtim Duro, një karrierë në tri dekada e shtete dhe shumë suksese të arritura

Futboll

Shpëtim Duro, një karrierë në tri dekada e shtete dhe shumë suksese të arritura

Më: 31 mars 2024 Në ora: 11:51
Shpëtim Duro,

Ndeshja mes Strugës dhe Voska Sport, që do të luhet mesditën e 31 marsit do të jetë shumë e veçantë për Shpëtim Duron. Tekniku 64-vjeçar do të ulet në stol për herë të 500-ë në karrierën e tij si trajner. Një shifër jubilare, për një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptarë, i cili në karrierën e nisur që në shekullin e 20-të. Saktësisht në shtatorin e vitit 1999, kohë kur mori drejtimin e Bylisit.

Më pas u ul në stolin e Dinamos e në vijim të Apolonisë në vitin 2000. Eksperiencën e parë te Partizani, Duro e regjistroi në vitin 2001. Trajneri i lindur në Tiranë, pas aventurës me “demat” kaloi tek skuadrat kombëtare, ku drejtori skuadrat e 17 dhe 19-vjeçarëve, krahas kontributit në skuadrën e parë ku ishte krahu i djathtë i Otto Bariç.

“Qëndrova dy vjet me Bariç. Personazh me eksperiencë 40-vjeçare si trajner. Edhe Dukën po ta pyesësh, e vlerëson jashtë mase. Bariç ishte mjeshtër i dy gjërave: i përzgjedhjes së elementit dhe përgatitjes së ndeshjes. Në mënyrë absolute Bariç ishte personazh, dinte të ndërronte dhe të parashikonte situatat”, deklaroi Duro pak javë më parë në SuperSport.

Pas eksperiencave kuqezi, Duro u ul sërish në stolin e Partizanit në vitin 2008, para se të merrte drejtimin e Besës së Kavajës, ku arriti që të marrë trofeun e parë të të rëndësishëm, Kupën e Shqipërisë, e më pas edhe Superkupën. Dy nga tre trofetë e Besës u fituan nën drejtimin e 64-vjeçarit, që ka edhe rezerva për trajtimin që i kanë bërë kavajasit.

“Fituam Kupën dhe ishim nënkampionë të Shqipërisë. Ka marrë tre trofe Besa, dy i ka marrë Shpëtim Duro. Dy herë është shpallur nënkampion, njëherë me mua. Jam trajneri më i suksesshëm në historinë e Kavajës dhe nuk jam respektuar, pasi nuk jam ftuar në asnjë ftesë të Kavajës”, deklaronte Duro në Elite Show.

Eksperienca e radhës për trajnerin ishte në Korçë. E ishte pikërisht nisja e epokës së artë të Skënderbeut, pasi në vitin 2011 juglindorët së bashku me Duron morën medaljet e kampionit në Kategorinë Superiore, për t’i hapur udhë një kohe të ndritur.

Duro e vijoi karrierën e tij më pas në Shkodër, aty ku drejtoi Vllazninë, para se të rivishte tutat e Partizanit, për të tretën herë në karrierën e tij. Vetëm pak ndeshje në krye të “demave” e më pas erdhi eksperienca e parë jashtë Shqipërisë, këtë herë në Maqedoninë e Veriut, ku mori drejtimin e Shkëndijës.

Pavarësisht një ecurie të jashtëzakonshme në Kupat e Europës, Duro nuk arriti dot të merrte një trofe në të dyja eksperiencat që pati në Tetovë. Mes dy aventurave si kuqezi, 64-vjeçari pati dhe eksperiencën e katërt si pjesë e Partizanit. Trajneri kryeqytetas tregon se dy nga pengjet e tij më të mëdha të karrierës lidhen me kohën kur drejtoi Skënderbeun dhe Shkëndijën e Tetovës.

“Çdo trajner ka pishmane. Më vjen më shumë keq. Pishman jam edhe për Skënderbeun, që e gëzuan të tjerët. Pishman jam për Shkëndijën në 2015-ën, në aventurën e dytë. Vitin e parë e mora në fundin e renditjes dhe e dërguam ekipin në Kupat e Europës. Në aventurën e dytë isha një pikë larg Vardarit, që kishte ekip shumë fortë dhe në finalen e Kupës”, rrëfen Duro.

Në Elite Show trajneri shprehu rezerva edhe me trajtimin që i kanë bërë te Partizani, duke deklaruar se e ka mbyllur tashmë me “të kuqtë” dhe se nuk do të ulet më në stolin e tyre.

“Tani nuk shkoj më kurrë trajner te Partizani! Kam dhënë shumë, por nuk jam respektuar. Nuk kam dëshirë ta drejtoj Partizanin. Jam ndarë mirë me presidentin Demi. Ai më tha e ke derën e hapur, por nuk kam fare dëshirë të jem trajneri i tyre”, deklaroi trajneri kryeqytetas.

Shpëtim Duro drejtoi edhe Flamurtarin në periudhën 2017-2018, ndërkohë që për disa muaj u transferua te Drita në Kosovë, para se të rikthehej në Shqipëri për të marrë “timonin” e Kukësit, ku u afrua shumë me titullin kampion. Eksperiencat e fundit në Shqipëri ishin me Laçin në dy raste dhe Egnatian, para kalimit tek Struga, ku po korr frytet e punës së tij, një titull kampion dhe pjesëmarrje në play-off të Conference League.

Në sezonin aktual Struga po kryeson kampionatin dhe është në rrugën e duhur drejt titullit të dytë kampion, ndërsa Duro mundtë krenohet me një karrierë të shtrirë në më shumë se dy dekada dhe në tre shtete të ndryshme. E pavarësisht kësaj, ai vijon të qëndrojë stoik në atë çka kërkon gjithmonë nga futbollistët e tij, maksimumin në çdo ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat