Drejtori sportiv nis misionin Champions

Futboll

Drejtori sportiv nis misionin Champions

Më: 15 mars 2024 Në ora: 22:33
Xhuntoli

“Komplimenta Juventusit për kualifikimin në Botërorin 2025 të FIFA-s”. Ishte ky urimi personal i Xhani Infantinos, me video, teksa prezantonte pjesëmarrësen e radhës në turneun më të ri të verës së ardhshme, menjëherë pas eliminimit të Napolit nga Champions-i dhe e gjithë kjo do të thoshte që për bardhezinjtë do të vijnë miliona të freskët, të paktën 50 vetëm për pjesëmarrjen.

Por në Torino duan që t’i bëjnë gjërat e mëdha, nga sezoni i ardhshëm e në vazhdim, pasi edhe Champions-i me formatin e ri dhuron 60 milionë euro të tjera, të cilat do t’i shtohen edhe një fondi special të shtuar nga padroni Xhon Elkan, për të fuqizuar Juven.

Ky i fundit i ka dhënë dritën jeshile drejtorit sportiv, Kristiano Xhuntoli, që të nisë ndërtimin e një Juventusit XXL, një skuadre që të ketë edhe më shumë elementë cilësorë, sidomos në mesfushë, por duke nisur fillimisht nga blindimi i kampionëve aktualë. Të parët në listë janë Dushan Vlahoviç, por edhe Federiko Kieza e Kenan Jildiz, ndërkohë që lista e Xhuntolit është e gjatë, shumë e gjatë dhe e rëndësishme, duke nisur me Teun Kopmainers të Atalantës.

Holandezi do të jetë themeli i ri i një reparti në nevojë për cilësi, ndërkohë që pritet gjithashtu një mes Mikel Merinos apo Martin Zubimendit të Sociedadit. Në të njëjtën kohë kanë nisur bisedimet serioze për Ljuis Ferguson të Xhenoas, ashtu sikurse për fantazistin Lazar Samarxhiç të Udinezes, të cilët do të kompletonin repartin e mesfushës.

Ndërkohë, përforcime priten edhe në sulm, ku Felipe Anderson i Lacios do të firmosë brenda javëve të ardhshme, ndërsa Giorgi Sudakov i Shahtjor Donetskut mbetet një ëndërr e vështirë, pasi ka shumë konkurrencë. Një tjetër nevojë është një mbrojtës i majtë dhe Reinildo i Atletikos së Madridit është i përzgjedhuri.

Të gjithë këta do të financohen jo vetëm nga milionat e Botërorit për Klube, Champions-it e Xhon Elkanit, por edhe nga disa largime e shitje të rëndësishme që do të hapin vend për të mos peshuar shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat