Tetova një arsye më shumë për të festuar në Korçë

Futboll

Tetova një arsye më shumë për të festuar në Korçë

Më: 15 mars 2024 Në ora: 21:27
Edlir Tetova

Ndeshja e së shtunës ndaj Skënderbeut do të jetë një përballje e veçantë për trajnerin e Egnatias, Edlir Tetova.

40-vjeçari, që po udhëheq rrogozhinasit me ambicie të mëdha për titullin, do të drejtojë ndeshjen e 100-të në karrierë si trajner.

Një karrierë e nisur vetëm në vitin 2021, por që në një hark shumë të shkurtër kohor ka arritur që të mbërrijë në këtë stacion të rëndësishëm në eksperiencën e tij menaxheriale.

Tetova e nisi karrierën si trajner tek Ulpiana, në Kosovë, skuadër të cilën e drejtoi në 29 ndeshje nga vera e vitit 2021 deri në mars të 2022, ku regjistroi 7 fitore, 9 barazime dhe 13 humbje.

Para startit të sezonit futbollistik 2022/23, Tetova mori drejtimin e Egnatias. Aventura e parë në stol te rrogozhinasit u mbyll pas vetëm 10 ndeshjesh, 4 fitoresh, 3 barazimesh dhe 3 humbjesh.

Pas drejtimit të rrogozhinasve, 40-vjeçari kaloi në Kategorinë e Parë, te Lushnja, në tetorin e 2022 për vetëm 4 takime, ku mori një fitore, një barazim dhe dy humbje.

Ndërsa në janarin e vitit të kaluar, zëvendësoi Shpëtim Duro në stol tek Egnatia, një rikthim që përkoi me fitimin e Kupës së Shqipërisë në edicionin 2023/24 dhe në këtë vit shpresohet titulli kampion.

Pas 27 javësh, rrogozhinasit e Edlir Tetovës po jetojnë një realitet fantastik në krye të klasifikimit me 51 pikë, dy pikë më shumë se ndjekësit më të afërt të Vllaznisë. Ka qenë një sezon fantastik për rrogozhinasit në dy fazat e parë, por hapat e shumtë falsë në fazën e tretë u dhanë mundësinë ndjekësve për të ngushtuar diferencën.

17 fitore, 10 barazime dhe 5 humbje kanë shënuar rrogozhinasit në të gjithë kompeticionet, por në sprintin final të sezonit çdo gabim mund të kushtojë. Edlir Tetova do të shpresojë që të festojë ndeshjen e 100-të në pankinë në mënyrën e duhur në transfertën e së shtunës ndaj Skëndërbeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat