Interi me dy misione në Madrid

Futboll

Interi me dy misione në Madrid

Më: 12 mars 2024 Në ora: 17:46
Lautaro

Interi ka kryer edhe seancën e fundit stërvitore në Milano, për t’u nisur drejt Madridit, aty ku mbrëmjen e të mërkurës do të përballet me Atleticon e Simeone, për një vend në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Zikaltrit nisen nga avantazhi minimal 1-0 që siguruan në përballjen e parë në “San Siro” dhe janë një hap përpara “Los Colchoneros”, teksa trajneri Simone Inzaghi pritet të rigjejë nga minuta e parë dyshen Lautaro-Thuram, që nuk luajnë bashkë që nga ndeshja e parë ndaj Atleticos në “San Siro”.

Dy sulmuesit kanë lënë pas dëmtimin dhe do të provojnë të udhëheqin Interin drejt çerekfinaleve, teksa krahas ndeshjes, drejtuesit e klubit zikaltër do të ketë edhe një mision tjetër të rëndësishëm në Madrid.

Bëhet fjalë për rinovimin e kapitenit Lautaro, që ka ngecur pasi oferta dhe kërkesa janë dy milionë euro larg njëra-tjetrës dhe diferencën pritet ta bëjnë pikërisht bonuset që do të ofrojnë zikaltrit për sulmuesin.

Agjenti i Lautaros, Alejandro Camano pritet të jetë në Madrid për ndeshjen dhe jozyrtarisht bëhet me dije se do të takohet edhe me Marottën e Ausilion, për të provuar të afrohen edhe më shumë me rinovimin.

Kontrata e kapitenit me Interin skadon në verën e 2026-ës dhe për momentin nuk ka asnjë nxitim, megjithatë zikaltrit duan ta ‘blindojnë’ sulmuesin para verës, për të mos rrezikuar ta humbin nga ndonjë ofertë tunduese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat