Sacchi pret spektakël në Milan-Atalanta

Futboll

Sacchi pret spektakël në Milan-Atalanta

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 12:09
Arrigo Sacchi

“Milan-Atalanta premton spektakël. Janë dy skuadra që nuk përmbahen, të guximshme dhe japin gjithçka që kanë. Shpresojmë se mund të argëtohemi, kemi nevojë që futbolli të na japë pak bukuri dhe qetësi”.

Kështu u shpreh ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sacchi, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, i cili vijoi më tej: “Pioli dhe Gasperini janë trajnerë të mirë, e kanë demonstruar në fushë. Milani dhe Atalanta kur janë mirë, luajnë futboll të mirë, proaktiv, agresiv, në përputhje me mentalitetin europian.

Pioli? Për mendimin tim, ai po ecën mirë. Deri tani do t’i jepja notën 6.5, por ka mundësi të arrijë 7 apo edhe 8. Problemi është se i kanë sjellë shumë lojtarë të rinj dhe duhet kohë për t’i integruar.

Ai përpiqet të bëjë rotacion, ndaj ndodh që kur hyjnë ata që kanë luajtur më pak, skuadra shtrihet, zgjerohet dhe hyn në krizë. Kjo është normale, por mendimi për trajnerin nuk ndryshon.

Gasperini? Ai është një mjeshtër. Në sezonet e kaluara ka krijuar një kryevepër të vërtetë. Meritat shkojnë për klubin bergamask që e mbështeti dhe e identifikoi atë si njeriun e duhur për të arritur objektiva të caktuara.

Të luash kundër Atalantës është si të shkosh te dentisti, e tha dje Pioli. Edhe Guardiola e kishte thënë këtë më parë. Është një ekip shumë i vështirë për t’u përballuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat