Danilo, i pari brazilian në histori kapiten i Juventusit

Futboll

Danilo, i pari brazilian në histori kapiten i Juventusit

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 16:48
Danilo

Mbrojtësi i Juventusit, Danilo ka dhënë një intervistë të gjatë për “TNT Sports Brasil”. Ai është kapiteni i parë brazilian në historinë e Juventusit: “Është një burim krenarie e madhe.

Një ekip me traditë të madhe si Juventusi ka qenë gjithmonë i përfaqësuar mirë për një kohë të gjatë nga lojtarë historikë italianë. Pasi isha zëvendës kapiten vitin e kaluar, këtë sezon u bëra kapiten i ekipit.

Kjo ka të bëjë me eksperiencën time, me mënyrën time të komunikimit me shokët e skuadrës, me arbitrat dhe me universin e Juventusit.

Fakti që vendimi i trajnerit u pranua aq mirë, veçanërisht nga shokët e mi të ekipit, më mbush me krenari. Jam krenar që edhe tifozët italianë, të cilët mbrojnë flamurin dhe kulturën e tyre, shpesh më përshëndesin dhe më falënderojnë që kam mbrojtur gjithmonë Juventusin dhe ngjyrat e tij.

Ndihem pjesë e klubit, e qytetit dhe e traditave të tij”.

Serie A po kthehet në maksimumin e saj, ndërsa Juve mund të kthehet në Champions League: “Prej disa vitesh, futbolli italian po rinovohet dhe po vlerëson të rinjtë. Ne e kemi parë gjithmonë Italinë si një vend ku lojtarët priren të vijnë me vonesë, por tani ata po nxjerrin të rinj që po demonstrojnë potencialin dhe talentin e tyre me rezultate të mira.

Juventus po ndjek të njëjtën linjë dhe është shumë i përkushtuar për qëndrueshmërinë financiare. Me fjalë të tjera klubi po mendon në planin afatgjatë. Mendoj se ky është “viti zero”, një fillim i ri, në të cilin duam të rikthehemi në Champions League. Sigurisht, do të luftojmë për titullin deri në fund, ashtu si në Kupën e Italisë”.

Disa fjalë për Pep Guardiolën: “Unë mendoj se kushdo që nuk pajtohet me të është për arsye personale ose ego, jo në nivel futbolli. Në këtë pikë, ai është unik. Inteligjenca e tij dhe mënyra se si mendon për futbollin, si të menaxhojë kohën dhe hapësirën, ndihmon në indoktrinimin e lojtarëve. Kjo bën që 95% e lojtarëve të ekipit të mendojnë në të njëjtën mënyrë.

Në rastin e Guardiolës, duke qenë se idetë e tij janë shumë të mira, ka më shumë gjasa që gjërat të funksionojnë. Ai është një person që studion shumë dhe iu kushton vëmendje detajeve, kujdeset që të gjithë t’i besojnë. Çdo takim që kishim në sallën e kinemasë së Manchester City ishte, siç e quanim unë dhe Fernandinho, një mësim futbolli universitar”.

Mbrojtësit e krahut brazilian dhe Botërori i ardhshëm: “Për sa kohë që jam i aftë fizikisht dhe mendërisht, do të jem gjithmonë në dispozicion të kombëtares braziliane.

Për momentin më pëlqen më shumë të luaj si qendërmbrojtës, sepse është një pozicion që më lejon të ndërtoj dhe të avancoj. Mund të luaj edhe si mbrojtës i krahut të djathtë, por duhet të përshtatem me karakteristikat e mia”.

Rikthimi në Brazil: “Nuk jam duke menduar të kthehem ende. América Mineiro ishte klubi im i parë dhe mendoj se ajo që bëri Moisés ishte shumë e mirë, kthimi në origjinë dhe mbyllja e ciklit. Sidoqoftë, jam duke menduar për ta përfunduar karrierën time në Evropë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat