De Rossi: Nuk ka skuadra të pamposhtura në botë, edhe Interi nuk bën përjashtim

Futboll

De Rossi: Nuk ka skuadra të pamposhtura në botë, edhe Interi nuk bën përjashtim

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 13:48
De Rossi

Respekt po, frikë kurrë. Është mjaft i guximshëm Daniele De Rossi, ai që doli në konferencën për shtyp nga Trigoria në prag të ndeshjes së madhe me Interin. E para që trajneri do ta gjejë veten duke përjetuar në stolin e Romës, në rolin e trajnerit:

“Po përgatitemi me kurajo, inteligjencë dhe dije. Çdo ekip në botë është i mundshëm, po kështu edhe Interi që është më i forti në kampionatin tonë. Zikaltrit janë mësuar të dominojnë lojën, por e dimë se ka gjëra që mund t’i shqetësojnë ata. Ne jemi të vetëdijshëm se jemi ekip i fortë dhe mund të bëjmë një ndeshje të madhe”.

DDR nuk fshihet dhe mbi të gjitha nuk ka frikë të thotë se si Roma e tij ka gjithçka që duhet për të konkurruar, të paktën në ndeshjen e vetme ndaj skuadrës së Inzaghit: “Nesër do të duhet të kemi respekt, por edhe pak arrogancë.

Nëse tregoni shumë respekt për kundërshtarin, atëherë keni frikë. Dhe nëse keni frikë, atëherë humbisni. Do të ketë raste kur ne do të vuajmë nesër, sepse zikaltrit janë të fortë. Duhet ta bindim veten se mund të fitojmë, ngaqë i kemi mundësitë. Në një kampionat të tërë ata janë më të fortë, por në një ndeshje të vetme mund të mposhten”.

De Rossi nuk kërkon alibi, duke folur për vështirësitë që kanë hasur verdhekuqtë në ndeshjet e mëdha të deritanishme, e përjashton hipotezën e një “problemi psikologjik” që do të prekte lojtarët e tij: “Unë punoj me lojtarë që kanë fituar Kupën e Botës, Kupën e Amerikës, Kampionatin Evropian, kompeticione të nivelit shumë të rëndësishëm. Do të ishte fyese për ta të thoshim se është një problem psikologjik. Ndonjëherë, në mundjen e krahut mund të humbësh, por po punojmë që fitorja të jetë në anën tonë këtë herë.”

Një deklaratë që vlen edhe për Lukakun, i cili do të përballet sërish me ish-skuadrën e tij në “Olimpico”, pas ndeshjes së tetorit në “San Siro”: “Do të më mjaftonte ndeshja e Romelu kundër Cagliarit. Më pëlqeu shumë, luajti për ekipin, gjuajti në portë dhe bëri veprime të rëndësishme. Goditi në portë 6-7 herë dhe nëse vazhdon kështu, do të shënojë shumë gola”.

De Rossi hedh poshtë me forcë hipotezën se ndeshja e “Europa League” me Feyenoord, e planifikuar për javën e ardhshme, mund të ndikojë në zgjedhjet për ndeshjen kundër zikaltërve: “Jemi të fokusuar tek e nesërmja, jo Feyenoord. Do të luajmë ndaj skuadrës që mendoj se është më e mira, Interin. Nuk do të bëjmë rotacion në bazë të ndeshjes tjetër”.

Fjalë nderimi për Smallig dhe Sanches, të cilët, sipas trajnerit, duken më afër rikthimit: “Renato Sanches është një element themelor, si gjithë të tjerët. Distancat fizike mes tyre dhe pjesës tjetër të shokëve të skuadrës po zvogëlohen. Ata stërviten me ne, pastaj bëjnë punë shtesë. Nuk i kam parë ende shumë në fushë, por nga ato pak që kam parë, do të jenë të rëndësishëm për ne”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat