Agjentët i ofrojnë Krosin Juventusit

Futboll

Agjentët i ofrojnë Krosin Juventusit

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 12:30
Kroos

Merkatoja e dimrit u mbyll më datë 1 shkurt, por ndërkohë vëmendja është spostuar te vera dhe mbi të gjitha te fakti se ka shumë lojtarë interesantë, apo akoma më shumë kampionë si Toni Kroos që mund të jetë të lirë nga 30 qershori e në vazhdim.

Mbreti i pasimeve në të paktën dekadën e fundit nuk po arrin që të gjejë gjuhën e përbashkët për një rinovim me Realin e Madridit.

Në të vërtetë nuk ka asnjë problem mes gjermanit me Karlo Ançelotin apo presidentin Florentino Perez, por ndoshta tejngopja dhe ideja për stimuj të rinj këto vite të fundit të karrierës është ajo që mund të shtyjë Toni Krosin të provojë një aventurë të fundit.

Dhe si gjithmonë, Juventusi është në skenë, aq më tepër për një ëndërr shumë të vjetër të klubit bardhezi, ndonëse këtë herë këta të fundit mund ta quajnë veten më shumë fat.

Siç raportojnë nga Spanja dhe konfirmuar nga “calciomercato.com”, duke parë vonesën e Realit të Madridit për t’i ofruar rinovimin 34-vjeçarit, i cili kërkonte edhe të paktën dy vite të tjera kontratë, menaxherët e tij janë lodhur nga pritja e Florentino Perezit dhe ia kanë ofruar “Zonjës së Vjetër”. Klubi torinez ëndërron një tjetër goditje “Ronaldo”, ndonëse në këtë rast shifrat janë shumë të përmbajtura, duke nisur nga vlera zero euro e kartonit.

Diçka e tillë bën që Juventusi më pas të lëshojë dorën te paga e futbollistit, e cila pritet që të prekë dhe madje të kalojë 10 milionë eurot në sezon neto, për të paktën 2 vite.

Bisedimet mes palëve kanë nisur, por edhe pse nuk është një operacion aspak i lehtë, ajo që garantohet është se destinacioni torinez i pëlqen Toni Krosit, edhe pse në rastin e Juventusit është shumë e rëndësishme që të kuptohet nëse trajneri Masimiliano Alegri do të mbetet sërish në stol ose jo. Sepse sigurisht që trajneri i ardhshëm i klubit më të titulluar në Itali do të ketë peshën maksimale në aprovimin ose jo të kësaj tratative.

Ndonëse duket e vështirë që dikush në botë të ketë guximin të refuzojë një si Toni Kros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat