Pioli barazohet me Arrigo Sacchi

Futboll

Pioli barazohet me Arrigo Sacchi

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 13:00
Pioli

Të dielën në mbrëmje kundër Napolit në “San Siro”, trajneri i Milanit, Stefano Pioli do të arrijë në 220 stola me kuqezinjtë, duke iu bashkuar kështu një legjende si Arrigo Sacchi.

Një rekord që Pioli me siguri nuk do të dojë ta festojë si të tillë, duke qenë se si trajneri, ashtu edhe skuadra kanë parasysh vetëm ecurinë pozitive në kampionat dhe “Europa League”, duke nisur me ndeshjen e radhës në “play-off” kundër Rennes.

Më pas, më vonë do të ketë kohë edhe për të menduar për të ardhmen, shkruan sot “Tuttosport”. Kontrata e trajnerit kuqezi është e vlefshme deri në vitin 2025, por me sa duket në fund të sezonit do të bëhet bilanci i gjërave, për të kuptuar nëse ekzistojnë apo jo kushtet për të ecur përpara bashkë.

Klubi gjithmonë e ka riafirmuar besimin tek ai, edhe me fakte. Sidoqoftë, ka ende dyshime për momentet e “fikjes” së përjetuar brenda sezonit dhe drejtimit nga pikëpamja fizike, me shumë dëmtime të muskujve të lojtarëve.

Në prapavijë, shkruan gazeta torineze, mbetet gjithmonë emri i Antonio Contes, si dhe i dy trajnerëve në zhvillim si Thiago Motta dhe Farioli, tashmë te Nice. Zgjedhja përfundimtare do të bëhet vetëm në fund të sezonit, kur të jenë të qarta objektivat e arritura dhe soliditeti i skuadrës kuqezi gjatë gjithë sezonit.

Vetëm në atë moment do të kuptohet nëse Pioli do të ketë mundësinë të synojë, pas Sacchi, legjendat e tjera të kuqezinjve si Capello, Viani, Ancelotti dhe Rocco, apo aventura e tij do të përfundojë një vit para skadimit natyral të kontratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat