Mehmeti i druhet Erzenit: Dinamo e ndjen presionin e rezultatit

Futboll

Mehmeti i druhet Erzenit: Dinamo e ndjen presionin e rezultatit

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 21:39
Mehmeti

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, mendon se skuadra e tij po vuan shumë presionin e rezultateve, ndaj kanë ardhur edhe luhatje të mëdha gjatë ndeshjeve të fundit.

Tekniku i bluve, në konferencën e sotme për shtyp, ka theksuar se ndeshja ndaj Erzenit nuk është aspak e lehtë, pasi përballë është një ekip që ka bërë mirë ndaj pretendentëve.

“Futbolli është i paparashikueshëm, prandaj dhe është i bukur.

Të jep emocione të jashtëzakonshme.

Skuadra futet në presion kur pëson gol, ndoshta është kthyer në një problem kronik në aspektin psikologjik.

Skuadra beson shumë te cilësitë e saj, por e ndjen presionin e rezultatit. Kur pësojmë gol humbasim besimin dhe këtu po punojmë fort.

Shpresojmë që të jemi më të qetë dhe të japim më tepër. Dinamo prodhon lojë, shkojmë edhe 2-0, si me Tiranën dhe Kukësin. Nuk duhet ta shkojmë në ato situata, që ta dorëzojmë ndeshjen. Ngarkesa psikologjike rëndon te të gjithë lojtarët. Na duhet të kemi shumë më tepër entuziazëm dhe besim në vetvete, që të shprehim më mirë vlerat tona.

Skuadra ka forcë karakteri. Mënyra si i kemi pësuar golat që na kanë futur në panik janë gabime individuale. Nga goditjet standarde pësojmë gola dhe kemi punuar në këtë drejtim. Na duhet të menaxhojmë më mirë avantazhin.

Para Erzenit kemi disa shqetësime të vogla me Smaçin, të shohim bashkë me stafin mjekësor. Erzeni është skuadër e vështirë, me elementë cilësorë që mund të bëjnë diferencën. E kemi vlerësuar, sepse ka bërë mirë edhe ndaj skuadrave pretendente, si Egnatia dhe Partizani.

Mund të kemi ndryshime të vogla, do t’i përshtatemi kundërshtarit. Është pozitiv fakti që e kemi grupin të plotë këtë herë, sepse ke mundësi të bësh edhe zëvendësime”, tha ndër të tjera ai para gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat