Mehmeti: Fitorja në Korçë është detyrim

Futboll

Mehmeti: Fitorja në Korçë është detyrim

Më: 19 janar 2024 Në ora: 21:22
Dritan Mehmeti

Pas humbjes në derbi me Tiranën, Dinamo po bëhet gati për transfertën e Korçës, ku padyshim blutë do të kërkojnë kthesën ndaj Skënderbeut.

Për këtë sfidë, sot ka dalë para mediave trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, i cili fillimisht ka folur për analizën e humbjes në derbi, më pas u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me transfertën e Korçës.

Fitorja konsiderohet detyrim nga dinamovitët, për të justifikuar besimin dhe investimin e presidencës, si dhe mbështetjen e tifozëve.

Ja prononcimi i trajnerit të Dinamos Dritan Mehmeti në prag të ndeshjes me Skënderbeun:

“Kemi bërë analizën e ndeshjes me Tiranën, nuk është hera e parë që na ndodh.

Jemi të gjithë përgjegjës për mënyrën si kemi humbur, gjithsecili duhet të reflektojë, nga i pari tek i fundit, për të gjetur forcat dhe për të dalë aty ku skuadra pretendon.

Dinamo i ka forcat të përballet me çdo kundërshtar.Duhet ta kërkojmë te vetja për mënyrën si menaxhojmë rezultatin. Kjo është një nga pikat kyçe të skuadrës, kemi problem agresivitetin, mënyra si duhet të shkojmë te fitorja.

E kemi lënë pas atë ndeshje dhe jam i kënaqur nga reflektimi i çunave, duhet të tregojmë forcë karakteri dhe të vlerësojmë si duhet ndeshjen me Skënderbeun. E kemi detyrim karshi tifozëve, karshi presidentit që të japim maksimumin. Jemi një klub që i ka dhënë tonin futbollist shqiptar dhe duhet të tregojmë më të mirën.

Në Korçë na mungon Andoni, është një lojtar që na ndihmon shumë në mesfushë. Kthehet Smaçi, por kemi pasur probleme me Gudiabin dhe Karambën, që nuk janë në gjendjen më të mirë fizike dhe mentale. I kemi elementët për të përballuar një ndeshje të tillë.

Lojtarët që do të luajnë besoj se do të bëjnë më të mirën. Të gjitha skuadrat janë të vështira, jo vetëm Skënderbeu, duhet përqendrim për 90 minuta që të marrësh rezultatin që do.

Merkato? Të jem i sinqertë, pres një përforcim në mesfushë, ndoshta edhe në sulm, nëse gjendet një lojtar që të bëjë diferencën".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat