De Rossi: Jam konsultuar me Tottin

Futboll

De Rossi: Jam konsultuar me Tottin

Më: 19 janar 2024 Në ora: 13:38
De Rossi

Emocioni është aty. Nuk ka rëndësi nëse ai është gjetur qindra herë në këtë situatë, sot gjithçka është ndryshe. Konferenca për shtyp para Veronës, por mbi të gjitha prezantimi zyrtar i trajnerit të ri të Romës, Daniele De Rossi. Herën e fundit, drejtori Guido Fienga ishte pranë tij, duke njoftuar vendimin e klubit për të mos rinovuar kontratën e Daniele. Tani është i vetëm, me shikim krenar dhe kokën lart.

Është diskutuar shumë për zgjedhjen e klubit për t’u fokusuar tek ish-kapiteni. I ka shumë të qarta idetë: “Kam kërkuar të më trajtojnë vetëm si trajner, jo si flamur apo legjendë, nuk dua të më vënë në fushë me ujkun Romolo.

Një gjë është e sigurt; do të luftoj deri në vdekje për të qëndruar këtu, pa iu drejtuar asaj që kam qenë, por duke u përpjekur të meritoj konfirmimin në fushë”.

DDR shkon më tej: “Unë nuk jam budalla. Qartësisht, nëse jam këtu, nuk ndodhi sepse u goditën nga loja ime me Spal. Ishte një zgjedhje e menduar, sepse nëse largon një trajner shumë të dashur, duhet të marrësh parasysh disa faktorë.

Një tjetër reagim i publikut mund të ishte më i keq. Fansat, sidomos vitet e fundit, kanë qenë të rëndësishëm, por besoj se mund të duan dy njerëz bashkë. Ata do ta duan Mourinhon, edhe mua gjithashtu. Për mua është një mundësi e shkëlqyer”.

Asnjë klauzolë në kontratën e tij: “Presidenti ishte shumë i qartë për kohëzgjatjen dhe përmbajtjen e qëndrimit tim këtu. Kërkova një bonus për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por do të kisha firmosur edhe bosh. Më dukej si një gjest i nevojshëm për historinë time këtu. A ishte koha e duhur për mua? Roma nuk refuzohet, pak si ajo që i ndodhi Pirlos me Juven.

Ka burra që refuzojnë, të tjerë që hidhen në betejë. Nuk është afeksion apo nostalgji, i kam bërë një analizë të shpejtë këtij ekipi dhe jam i bindur se është i fortë. Nëse do të kishte qenë i dobët do të kisha thënë jo, nuk dua të lë përshtypje të keqe. Mund të bëjmë mirë dhe kjo përvojë do të më ndihmojë të zhvilloj karrierën time. Është e qartë, pastaj, se nuk ëndërroj të zë vendin e trajnerit më të suksesshëm në histori”.

Kjo Romë, që për De Rossin ka gjithçka për të bërë mirë, deri ku mund të shkojë? “Do të isha i lumtur nëse në fund të sezonit do të ishim në mesin e katër më të mirëve. Nuk është një objektiv i lehtë, por absolutisht i mundshëm. Nëse ndryshon një trajner, është e qartë se ka probleme, do t’ia fillosh nga e para. Fatmirësisht, për arsye mbështetjeje, i pashë të gjitha ndeshjet, ndaj e njoh mirë ekipin dhe e shkurtova pak periudhën e studimit.

Seancat e para stërvitore ju japin përgjigje deri në një pikë të caktuar, do të duhet të shohim se sa kohë mund ta ruajmë këtë intensitet, – nënvizoi De Rossi, i cili konfiermoi prapavijën me katër: – Unë u dashurova me këtë modul me Spallettin, më pas me Luis Enrique. Janë trajnerë që sjellin shumë në fazën e sulmit, prandaj mbrojnë me katër. Megjithatë, kjo skuadër ka kohë që mbrohet me tre, ndaj do të vendosim në minutën e fundit. Ndoshta mund të provojmë disa rotacione, madje edhe duke ndryshuar gjatë ndeshjes apo sezonit”.

Kontakti me Mourinho: “I dërgova atij një mesazh, jo zyrtar. Ishte ndër të parët që më shkroi kur firmosa për Spal. Më dukej një gjest i nevojshëm dhe i duhur. Tani më duhet të fokusohem në atë që mund dhe duhet të bëj për t’u përmirësuar. Kam folur shumë ditët e fundit për gjëra që shkojnë përtej futbollit. Mezi pres që kjo gjë të normalizohet dhe të jem në gjendje të mendoj vetëm për topin”.

De Rossi, padyshim ka folur edhe me mikun e tij Francesco Totti: “Ai më uroi fat të mirë, ishte po aq i lumtur dhe i mahnitur sa unë. Do të shihemi dhe do të kalojmë pak kohë së bashku”.

Ndërkohë, nesër në orën 18:00, Verona mbërrin në “Olimpico”: “Një skuadër solide, e stërvitur nga një trajner që e respektoj shumë edhe si njeri. Emocioni i debutimit tim nuk duhet të na pengojë. Mund të ketë pak humor të keq, por ne duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të japim gjithçka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat