Synohet edhe një goditje

Futboll

Synohet edhe një goditje

Më: 16 janar 2024 Në ora: 12:16
Dinamo

Java ka nisur me lëvizje te Dinamo. Në skuadër ka mbërritur sulmuesi Ardit Tahiri, që pritet të jetë një element i rëndësishëm në radhët e bluve për vazhdimin e kampionatit.

Klubi në anën tjetër ka zyrtarizuar mbylljen e bashkëpunimit me Silvio Vokrrin, ashtu siç gazeta kishte bërë me dije, si dhe ka njoftuar huazimin e Blend Krasniqit te Gjilani në Kosovë. Lëvizje të pritshme në fakt, duke ditur që ditët e fundit janë afruar në skuadër disa lojtarë, si Janku, Meksi, Bamba dhe Çuni. Tahiri është përforcimi i 5-të, por merkatoja nuk është mbyllur te kryeqytetasit, po ashtu edhe largimet.

Ndeshja me Tiranën, ku Dinamo pësoi atë humbje dramatike nga 2-0 në 2-3, tregoi se skuadra ka nevojë edhe për një afrim me peshë në mesfushë. Në vazhdim mund të vijë edhe një mbrojtës tjetër i ri nga Greqia.

“MISTER X” Mesfusha është reparti që e lodh më shumë Dinamon në çdo merkato. Kështu ndodhi në verë, kështu po ndodh me tani në dimër. Në këtë sektor, 18 herë kampionët e vendit kanë afruar para nisjes së sezonit lojtarë si Gudiabi dhe Andoni, ndërkohë që janë përshtatur edhe Lorran e Mija në ndonjë rast. I gatshëm është edhe Smaçi, ndërsa Krasniqi është huazuar në Kosovë. Në këto kushte, po kërkohet edhe një lojtar që të ketë kualitet për të forcuar mesfushën blu. Ashtu si në verë, u tentua Ardit Hila, por në të dy rastet ai nuk preferoi Dinamon.

Në fokusin e klubit kryeqytetas kanë qenë edhe lojtarë të tjerë të njohur të kampionatit tonë, si Jonuzi apo Kahrimanoviç, por edhe për këta të dy nuk është bërë e mundur që të vishen blu. Vesel Limaj po ashtu ishte një emër që u lakua para hapjes së merkatos së dimrit dhe që më pas u sfumua.

Tani, drejtori sportiv i Dinamos, Haris Fakiç, është vënë në kërkim të ‘Mister X’ të mesfushës. Ai po ndjek disa pista dhe së shpejti pritet që të konkludohet, sepse edhe ndeshjet janë shumë afër.

Duke nisur që nga transferta e Korçës, ku Dinamo nuk do të ketë të gatshëm as Andonin për shkak kartonësh. Brenda këtyre ditëve pritet që klubi të finalizojë edhe goditjen në mesfushë, që me shumë mundësi do të jetë edhe e fundit për këtë sesion të merkatos, ku mundësitë janë të limituara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat