Erzeni “shpërthen”

Futboll

Erzeni “shpërthen”

Më: 7 janar 2024 Në ora: 17:12
Erzeni

Erzeni është një nga skuadrat që po lëviz më fort në merkato.

Transferimet e klubit shijakas janë ende të bllokuara, por detyrimet ndaj dy lojtarëve janë bërë dhe tani pritet vetëm aprovimi nga FIFA për të bërë përforcimet e duhura për teknikun Alfred Deliallisi.

Klubi i ka dërguar letrat në FSHF dhe fakti që ka zyrtarizuar tashmë largimin e 8 futbollistëve tregon sigurinë që kanë tek Erzeni se do të mund të sigurojnë përforcimet e duhura. Në fakt, drejtuesit e klubit janë tepër aktivë dhe kanë siguruar akordin me katër lojtarë për janarin, duke menduar edhe të ardhmen madje.

Aleko Ananidze, qendërmbrojtësi i Shukura Kobuleti është një 19-vjeçar në xhiron e kombëtares së moshave të Gjeorgjisë. Qendërmbrojtësi i majtë shihet si një goditje e fortë në merkato dhe tek Erzeni do të ketë minutat e duhura për tu rritur edhe më shumë në nivel. Bashkë me Ananidze, shijakasit kanë akordin edhe me shqiptarin me pasaportë zvicerane të Cherno More, Arlind Dakaj. Shkatërruesi 22- vjeçar dëshiron më shumë minuta se mund të marrë me kryesuesit e kampionatit bullgar dhe është bindur nga projekti i propozuar nga presidenti i Erzenit.

Ndërkohë, edhe dy të tjerë, njohës të mirë të kampionatit presin zhbllokimin zyrtar të merkatos për të veshur fanellën e shijakasve.

Donal Mëllugja, pasi ka parë ti mbyllen hapësirat te kryesuesit e Egnatias, me të cilët në 15 prezenca ka një asist, do të jetë një përforcim i vlefshëm për Deliallisin. Ofensivën ndërkohë do ta pasurojë Silvio Zogaj, që ka mbyllur bashkëpunimin me Flamurtarin. Anësori i sulmit ka bërë mirë në Superiore me Kastriotin një vit më parë dhe Deliallisi shpreson që ai të përsëritet te Erzeni.

Shijakasit kanë pothuaj të siguruar edhe përfaqësimet e një portieri, që për momentin mbahet anonim, për shkak të negociatave të merkatos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat