Vllaznia, me ngarkesë të plotë në Ulqin

Futboll

Vllaznia, me ngarkesë të plotë në Ulqin

Më: 6 janar 2024 Në ora: 19:26
Foto ilustrim

Pas dy ditëve pushim për të festuar Vitin e Ri, futbollistët e Vllaznisë i janë rikthyer sërish procesit stërvitor dhe pasditen e dy janarit shkodranët  kanë zhvilluar seancën e parë për 2024-ën.

Pas përfundimit të seancës së parë kuqeblutë nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani janë nisur drejt Ulqinit ku do të qëndrojnë deri në fund të kësaj jave, për të zhvilluar pjesën intensive të përgatitjeve për gjysmën e dytë të sezonit.

Që nga data 3 janar skuadra po punon me dy seanca në ditë, duke i kushtuar rëndësi si përgatitjes fizike, ashtu edhe asaj tekniko- taktike në fushën sportive të ekipit vendas të Otrantit. Sipas burimeve pranë kuqebluve, mësohet se deri tani gjithçka po shkon ashtu si duhet në përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit.

Shpresohet që Vllanzia ta nisë pjesën e  dytë të sezonit, pikërisht ashtu siç mbylli të parën, ku fundi i dhjetorit ishte pozitiv për kuqeblutë. Përveç trajnerit Osmani, i angazhuar në procesin stërvitor është edhe drejtori Tefik Osmani.

Ndërkohë, drejtuesit janë vënë në lëvizje për të përforcuar ekipin në postet ku kanë më shumë nevojë, duke ditur se gjatë fundit të vitit kanë pasur edhe disa largime, Çeshmedjiev, Dodev dhe Dragoshi, si dhe pritet edhe “divorci” me Asanin. Trajneri Osmani e ka bërë të qartë prej javësh se Vllaznia ka nevojë për përforcime në janar.

Ndërkaq, të dielën, më 7 janar, duke nisur nga ora 13:30, shkodranët janë mysafirë në Stadiumin e Laçit, për t’u përballur me skuadrën vendase në një ndeshje miqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat