“Trajneri i Vitit” bën të kundërtën e eksperiencës te Tirana, Partizani ndryshon Shehin?

Futboll

“Trajneri i Vitit” bën të kundërtën e eksperiencës te Tirana, Partizani ndryshon Shehin?

Më: 6 janar 2024 Në ora: 14:56
Partizani

Orges Shehi me transferimin te Partizani pas largimit nga Tirana, është kthyer në trajnerin më të përfolur të Superiores. Kështu që çdo lëvizje e “Trajnerit të Vitit”, nuk mund t’i shpëtojë “lupës” së Newsport.

Ditën e sotme Partizani zhvilloi testin e parë miqësor në tokën turke, ku po zhvillon fazën përgatitore. Kundër Volendam ndeshja përfundoi në barazim 1 me 1, ndërsa golin për të kuqtë e shënoi 20-vjeçari Luis Birçaj pasi erdhi nga zëvendësimi.

Çfarë ra në sy ishte formacioni titullar i besuar nga Shehi. Në ndryshim nga Tirana, te të cilët Shehi ka treguar se preferon lojtarët më në moshë, te Partizani bëri të kundërtën.

Kështu mbrojtësi Sota 25 vjeç ishte lojtari më në moshë i skuadrës, ndërsa 10 titullarët e tjerët qëndronin poshtë tij.

Në vazhdim mund të njiheni me moshën e secilit lojtar. Qirko 24 vjeç, Hadroj 24 vjeç, Sota 25 vjeç, Sembene 22 vjeç, Buxhelaj 20 vjeç, Mehmeti 22 vjeç, Maguette 21 vjeç, Rrapaj 22 vjeç, Keko 22 vjeç, Mensah 24 vjeç, Cara 23 vjeç.

22.6 është mosha mesatare e prodhuar nga këta lojtarë, si asnjëherë tjetër këtë sezon. Të tjerë me peshë si Murataj, Atanaskoski dhe Taipi u preferuan në pjesën e dytë. Testi i radhës miqësor është kundër Universitatea Cluj më 9 janar ora 15:00.

A e ka ndryshuar Partizani Shehin? Mbetet për t’u parë, por fakt është se të kuqtë nuk e kanë sezonin e parë ku po mundohen që bazat t’i kenë të mbështetura në lojtarë të rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat