Pusi, në udhëkryqin azer 

Futboll

Pusi, në udhëkryqin azer 

Më: 4 janar 2024 Në ora: 22:38
Pusi

 Futbollisti shkodran rrëfen aventurën me Turan Tovuzin, Vllazninë dhe të ardhmen

Ka marrë një ofertë për rinovim të kontratës nga klubi i tij azer, Turan Tovuzi, por Belajdi Pusi preferon të presë për të vendosur sa i përket të ardhmes së tij. Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai rrëfen aventurën azere, por edhe marrëdhënien me Vllazninë.

“Atmosfera në Azerbajxhan është shumë e mirë, jam shumë i kënaqur atje dhe po paraqitem mirë, por përsëri kam dëshirë që të jap më shumë nga vetja. Kam shënuar pesë gola deri tani, kam dhënë dhe një assist, shpresoj që të shënoj edhe më shumë”.

Pas fillimit me Vllazninë, një eksperiencë me Skënderbeun dhe tani në Azerbajxhan…

“Dua të hedh hapat një nga një. Nuk jam dorëzuar asnjëherë. Kam dhënë maksimumin te Vllaznia për aq minuta që më janë dhënë, pavarësisht se nuk kisha shumë hapësirë. Tek Skënderbeu më kanë dhënë një dorë të mirë dhe besoj se jam pjekur. Isha gati për një aventurë në Azerbajxhan dhe po më shkon mirë”.

I ndiqni ndeshjet e Vllaznisë?

“Po, po, i ndjek të gjitha. Në fillim nuk ishin mirë, por tani duket se e kanë marrë veten dhe janë në rrugë të drejtë, në rrugë të mirë”.

Kontrata në Azerbajxhan të përfundon në qershor. Cilat janë planet për të ardhmen?

“Kam një kontratë deri në qershor.

Klubi më ka ofruar kontratë të re, për të rinovuar që tani në janar për sezonin e ri. Por nuk do nxitohem, do shikoj me kujdes.

Dëshirën për tu rikthyer te Vllaznia besoj se e ka çdo lojtar shkodran, por do të shikojmë. Do kthehem në kohën dhe momentin e duhur, që të ndihmoj ekipin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat