Del kontrata mes turqve dhe sauditëve, kuptohet se kush e ka fajin për skandalin

Futboll

Del kontrata mes turqve dhe sauditëve, kuptohet se kush e ka fajin për skandalin

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Skandali i madh politik në Arabinë Saudite bëri jehonë edhe në Evropë, pasi mbrëmë (e premte) në Riad u anulua ndeshja finale e Superkupës së Turqisë mes Fenerbahces dhe Galatasaray.

Klubet e Stambollit nuk kanë dashur ta zhvillojnë ndeshjen pasi organizatori ua ka ndaluar lojtarëve të dalin në fushë me bluza me imazhin e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, e cila këto ditë feston 100-vjetorin e saj.

Tashmë ka dalë në publik kontrata që kanë nënshkruar sauditët dhe turqit për të luajtur këtë ndeshje në tokën e Arabisë Saudite, konkretisht në kryeqytetin Riad.

Kontrata i amniston plotësisht sauditët për këtë skandal me shtyrjen e ndeshjes, sepse organizatorët janë udhëhequr vetëm nga ajo që thuhej në kontratë.

Rezulton se fajtori më i madh për kaosin e djeshëm është në fakt Federata e Futbollit të Turqisë, e cila nuk ka përfshirë në kontratë as një zë në lidhje me bluzën me figurën e Ataturkut, e cila ka shkaktuar kaosin.

Në nenin 11 të kontratës së përmendur, përmenden detajet lidhur me pajisjet në të cilat duhet të performojnë lojtarët, por nuk thuhet fare se ata do të dalin në fushë me bluza me imazhin e babait të kombit turk.

“Ekipet duhet të përdorin fanellat e miratuara nga Federata e Futbollit të Turqisë për sezonin aktual në garë”, thuhet në këtë nen të kontratës.

Gjithashtu, në pjesën e dytë të kontratës thuhet: “Të paktën 60 minuta para ndeshjes, gjyqtari duhet të marrë një listë me emrat e lojtarëve, licencat dhe kopjet e fanellave, pantallonave të shkurtra dhe çorapeve me të cilat të dyja skuadrat do luajnë”.

Organizatori i ndeshjes, kompania Riyadh Season, në fund, para vetë ndeshjes, nuk i ka lejuar lojtarët të dalin në fushë me fanella “kontroverse” dhe të vendosin një pankartë me mesazhin “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.

Riyadh Season lejoi këndimin e himnit kombëtar të Turqisë para ndeshjes dhe shfaqjen e flamurit të vendit, siç ishte rënë dakord në kontratë.

Në fund, fajtorët kryesorë për vonesën mund t’i shpallim definitivisht drejtuesit e Federatës së Futbollit të Turqisë dhe gjigantët e Stambollit, të cilët nuk iu përmbajtën marrëveshjes.

Me sa duket, gjatë krijimit të marrëveshjes me sauditët, Federata e Turqisë nuk ka marrë parasysh as datën e ndeshjes, e cila binte në 100 vjetorin e Republikës së Turqisë. Nëse do të kishin marrë, dhe nëse gjatë negociatave të kontratës me sauditët do të kishin kërkuar që lojtarët të dilnin në fushë me bluza me një mesazh, në rastin më të keq, sauditët do t’i kishin refuzuar dhe në fund turqit do të kishin luajtur ndeshjen e Superkupës së vendit të tyre ose në një vend tjetër.

Tani duhet të presim që të përcaktohet data e re e finales së Superkupës dhe pas gjithë kësaj turqit do t’u duhet t’u kthejnë sauditëve 40 milionë dollarët që ua kanë paguar për këtë ndeshje që do të luhej në Riad.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat