Më të mirët e javës së 18-të të Superiores

Futboll

Më të mirët e javës së 18-të të Superiores

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 15:35
Formacioni i javës

Është mbyllur java e 18-të e “Abissnet Superiore”. Janë luajtur 5 sfida mjaft interesante të cilat ishin të fundit për vitin 2023. Surpriza të shumta në rezultatet e këtyre ndeshjeve, gjithashtu edhe në performancat e lojtarëve.

Fitore të thella morën Vllaznia ndaj Skënderbeut dhe Tirana përballë Egnatias, ndërsa Partizani u “shtang” nga Erzeni. Në krahun tjetër Kukësi dhe Laçi bënë “paqe”, ndërsa Teuta mori një disfatë ndaj Dinamos.

Newsport.al, si  çdo javë, ka përzgjedhur formacionin më të mirë me 11 lojtarët që kontribuan maksimalisht në rezultatet e ekipeve të tyre, si dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë.

-FORMACIONI I JAVËS-

Klevi Hasanbelli (Erzeni) – Një ndeshje mjaft e mirë nga portieri i shijakasve, i cili luajti një rol mjaft të rëndësishëm në fitoren që ekipi i tij mori në “Air Albania”, ndaj Partizanit. Hasanbelli priti një penallti në minutën e 54’ të sfidës, 11-metërsh i cili u godit nga Tedi Cara. Edhe pse u zëvendësua në minutën e 68’, 26-vjeçari la shenjë në këtë sfidë.

Rimal Haxhiu (Tirana) – Anësori i Tiranës bëri një ndeshje pothuajse perfekte në fitoren që bardheblutë morën në Rrogozhinë përballë Egnatias. Në triumfin e ekipit të tij me rezultatin 0-5, Haxhiu ia doli të shënonte dy gola dhe duke qenë protagonist absolut.

Marko Juric (Vllaznia) – Vllaznia nuk kishte shumë punë në fazën difensive në fitoren që morën në “Loro Boriçi” me rezultatin 5-0 përballë Skënderbeut. Edhe pse korçarët nuk rrezikuan shumë, në ato pak raste Juric ishte mjaft i saktë dhe efikas.

Nehar Sadiku (Erzeni) – Mbrojtja e Erzenit ishte në superformë në ndeshjen që fituan përballë Partizanit në “Air Albania”. Atanda bëri një ndeshje majft të mirë, por efikas ishte Nehar Sadiki. Ky i fundit arriti të ishte vendimtar në rezultatin përfundimtar me paraqitjen e tij. Një nga momentet që Sadiki ia doli të shpëtonte nga goli të tijët ishte në minutën e 52’, kur Bintsouka kaloi portierin, por Sadiku e largoi dopin në vijën fatale.

Florian Përgjoni (Tirana) – Fitorja e thellë e Tiranës ndaj Egnatias erdhi nga loja perfekte e bardhebluve. Një nga më perfektët në fushë ishte padyshim Florian Përgjoni. Mbrojtësi i djathtë i bardhebluvë ishte fantastik dhe i pakalueshëm në krahun që mbulonte.

Ardit Deliu (Tirana) – Edhe Ardit Deliu ishte një nga protagonistët në fitoren e Tiranës. Mesfushori përveç kontributit nga ana difensive, ia doli që të asistonte në një nga golat e bardhebluve përballë Egnatias. Ai asistoi në golin e parë të Haxhiut.

Ardit Krymi (Vllaznia) – Vllaznia mori një fitore perfekte me rezultatin 5-0 ndaj Skënderbeut. Një nga lojtarët më të mirë në fushë ishte dhe mesfushori Ardit Krymi. Krymi bëri mjaft mirë në repartin e mesfushës, por ndihmoi shumë edhe në fazën ofensive.

Lorenco Vila (Dinamo) – Dinamo mposhti Teutën me rezultatin 2-1 dhe protagonisti absolut i kësaj sfide ishte padyshim Lorenco Vila. Ish-i i “Djemve të Detit” ndëshkoi skuadrën e tij të zemrës me një dopietë. Dygolëshi i Vilës vendosi dhe fatet e kësaj sfide, duke i dhënë dinamovitëve një 3 pikësh mjaft të rëndësishëm.

Amir Kahrimanovic (Erzeni) – Mesfushori i Erzenit kontribuoi në fitoren që ekipi i tij arriti në “Air Albania” përballë Partizanit. Kahrimanovic ia doli të bënte një lojë mjaft të mirë duke qenë i kudogjendur në fushën e blertë. Madje kroati gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 44’ me anë të një penalltie ku shënoi golin e dytë për të tijët.

Ildi Gruda (Vllaznia) – Gruda ishte nga më të mirët në fushë dhe më të mirët e javës së 18-të të Superiores. Sulmuesi i Vllaznisë ia doli të shënonte plot 3 gola në fitoren që shkodranët arritën ndaj Skënderbeut me rezultatin 5-0. Një ndeshje perfekte nga Gruda, i cili përveç golave të shënuar, u kthye disa herë në mbrojtje për të ndihmuar ekipin në fazën difensive.

Kristal Abazaj (Tirana) – Fitorja 5-0 e Tiranës ndaj Egnatias në Rrogozhinë ishte një ndeshje perfekte nga të gjithë bardheblutë. Në veçanti performanca e Abazajt. Sulmuesi ia doli të shënonte një gol dhe të dhuronte dy asist në fitoren me goleadë që arriti ekipi i tij.

Qatip Osmani (Vllaznia) – Trajneri i Vllaznisë është padyshim më i mirë i javës së 18-të të Superiores. Tekniku i shkodranëve e kishte rreshtuar ekipin në një mënyrë perfekte duke zhvilluar një lojë mjaft të mirë. Asnjë repart i ekipit të Vllaznisë nuk kishte probleme, e cila u vu re edhe nga fitorja e thellë që ekipi i tij arriti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat