Interi po kalon formë të mirë

Futboll

Interi po kalon formë të mirë

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 15:28
Lautaro Martinez e Marcus Thuram

Padyshim po zhvillojnë një prej sezoneve të tyre më të mira, të paktën në këto 5 vitet e fundit.

“Zikaltërit” e Inter udhëheqin, që prej fillimit kampionatin italian të futbollit, Serie A, si dhe siguruan kalimin për në fazën e 1/16-ve të UEFA Champions League, ku padyshim dy nga protagonistët kryesorë në serinë e fitoren kanë qenë dy “yjet” e sulmit, Lautaro Martinez e Marcus Thuram.

Mirëpo, këta dy të fundit shpeshherë ndjejnë edhe lodhje nga mbingarkesa e ndeshjeve e për këtë arsye dy “mjeshtrat” e merkatos “Zikaltër”, Guiseppe Marotta e Pierro Ausilio dëshirojnë të sjellin një sulmues të ri në “Giuseppe Meazza”, kjo për aryse se Arnautovic e Alexis Sanchez nuk bindin dhe në rastet kur këta të dy kanë qenë titullar është dashur ndërhyrja nga stoli e dy “yjeve” për të përmbysur rezultat.

Kështu, Marotta e Ausilio kanë përgatitur një listë të gjatë me plot 4 emra, të cilët mund t’i afrojnë në merkaton e verës. I pari në listë është “bomberi” iranian, Mehdi Taremi, me 31-vjeçarin që është një “nuhatës” i vërtetë goli, paçka se këtë sezon nuk po e tregon një fakt të tillë, për shkak edhe të lojtarëve të shumtë sulmues, që janë kthyer në protagonist në sulmin e Porto.

Pas Taremi, në listën vjen kolumbiani i “Bergamaskëve” të Atalanta, Luis Muriel. Në krahasim me iranian edhe Muriel nuk ka arritur të shënojë shumë gola në kampionat, pasi në 14 ndeshje numëron vetëm 2 rrjeta, ama në UEFA Europa League është kthyer në një “përbindësh” të vërtetë, duke arritur të shënojë plot 4 gola, në 5 sfida, për t’u kthyer në një tjetër opsion të vlefshëm për “Zikaltërit” e Milanos.

Në fund të listës vjen edhe dyshja e Premier League, me një lojtar që vjen nga “Djajtë” e Kuq” të Manchester United e tjetri, nga “Blutë” e Chelsea. Nga “Old Trafford” vjen Anthony Martial, i cili konsiderohet si lojtar i cili mund të bëjë diferencën nga stoli, ndërsa emri tjetër, që vjen nga “Stamford Bridge” është ai i Armando Brojës, me 22-vjeçarin, nga Malësia e Madhe, që përveç se ka  treguar se zotëron një potencial të madh, mund të kthehet edhe në sulmues “pykë” në të ardhmen për klubin “Zikaltër”, aty ku e pret dhe shoku i tij i Kombëtares, Kristjan Asllani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat