Premi të majme

Futboll

Premi të majme

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 12:27
Tirana

Dy fitore në dy ndeshjet e fundit do të “ngro hin” xhepat në rast fitoreje ndaj Tiranës dhe Skënderbeut. Vllaznia duket se pak nga pak po kthehet te rezultatet e duhura. Skuadra shkodrane ka marrë dy fitore ndaj Teutës dhe Dinamos në tri ndeshjet e fundit, ndërsa tashmë do të ketë edhe dy përballje të tjera tepër delikate.

Sot, Vllaznia do të luajë klasiken përballë Tiranës në “Selman Stërmasi”, ndërsa një javë më vonë do të përballen me Skënderbeun.

Kështu, duke parë që përpara janë dy ndeshje tepër të vështira, drejtuesit e klubit kanë menduar të motivojnë akoma edhe më shumë futbollistët, duke vendosur një premio.

 “Panorama Sport” mëson se, në rast se do të fitojnë të dyja ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij viti, futbollistët e Vllaznisë do të marrin 20 mijë euro premio, nga 10 për secilën ndeshje.

Në fakt, një premio e tillë mësohet se u është dhënë futbollistëve të Vllaznisë edhe pas ndeshjes me Dinamon dhe tashmë, për të fituar sfidat ndaj Tiranës dhe Skënderbeut, duket se kuqeblutë do të kenë një motivim ekstra.

Natyrisht që, në klasiken ndaj Tiranës nuk do të jetë e lehtë për të marrë fitoren, sepse skuadra vendëse ndodhet në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit dhe nuk do t’i lejonte vetes ndonjë hap të gabuar, aq më tepër ndaj Vllaznisë.

Nga ana tjetër, prej ditësh, opinioni futbolldashës në Shkodër e ka kryefjalë ndeshjen ndaj Tiranës, teksa janë të shumta edhe organizimet e nisura përmes rrjeteve sociale, duke nxitur një prani sa më të madhe të tifozëve në Tiranë, në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat