Cilët janë të nominuarit për çmimet e FSHF-së?

Futboll

Cilët janë të nominuarit për çmimet e FSHF-së?

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2023”, do të jetë momenti kulmor i një viti special ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit. Djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.

FSHF ka përgatitur gjithçka në detaje për një mbrëmje festive e pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Në këtë mbrëmje, e kthyer tashmë në një traditë nga FSHF, nuk do të mungojnë edhe të ftuar special. Personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit, medias dhe kolegë e miq të Federatave të tjera.

Fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar. Pas një procesi të gjatë e transparent votimi të udhëhequr nga FSHF. Që ka nisur prej kohësh. Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori.

Për çmimin “Topi i Artë 2023” të nominuarit janë: Arinaldo Rrapaj, Florent Hasani dhe Bekim Balaj. Ndërsa për “Topin e Artë 2023” për vajza finalistet janë: Valentina Troka, Ezmiralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2023’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit. Teksa për çmimin “Trajneri i Vitit 2023” kandidaturat janë: Mirel Josa, Orges Shehi dhe Edlir Tetova.

“Talenti i Vitit 2023” do të shpallet njëri mes Ledjo Tresës, Ergis Arifit dhe Arlind Kurtit. Tre prej lojtarëve të rinj që kanë spikatur këtë sezon. Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2023” janë në garë: Rosela Vasa, Klesta Ago dhe Klaudia Borci.

Për çmimin “Arbitri i Vitit 2023” tre të nominuarit janë Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti dhe Enea Jorgji. Në fund, do të zbulohet edhe “Formacioni i Vitit 2023”. Me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion. Të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend.

Mbrëmja gala do të zhvillohet më 18 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat