Davidhi tregon risitë e nismës madhore të FSHF!

Futboll

Davidhi tregon risitë e nismës madhore të FSHF!

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 21:55
Pamje nga një aktivitet

Projekti “Uniforma ime” vazhdon në sezonin e dytë t’ju ofrojë bazën materiale dhe uniformat e nevojshme për t’u stërvitur e luajtur futboll rreth 20,000 fëmijëve e të rinjve në të gjithë Shqipërinë.

Për ecurinë e këtij projekti të FSHF-së, efektet dhe pritshmëritë e tij, Daniel Davidhi, Koordinator i Projektit, ka dhënë një intervistë për fshf.org dhe sqaron gjithçka.

Ai ka treguar se deri kur do të vijojë shpërndarja e uniformave për fëmijët, ndërkohë që thekson se ky projekt është nga më të rëndësishmit, pasi ka ndikim të prekshëm drejtpërdrejt tek ata që merren me futboll.

– Projekti “Uniforma Ime”, rikthehet sërish këtë vit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Çfarë sjell ky projekt për futbollin dhe të rinjtë shqiptar?

– Ky është viti i dytë që Federata dhe Shoqatat Rajonale të Futbollit marrin përsipër këtë projekt.

Efektet ishin shumë të prekshme dhe të ndjeshme që në sezonin e parë. Vitin e shkuar ne i shpërndamë për herë të parë çdo fëmije që luan futboll në Shqipëri setin e plotë me materiale sportive falas.

Ky projekt sipas meje është një nga punët më të rëndësishme që një federate si e jona është duke bërë, sepse efekti është i prekshëm dhe shkon në çdo fëmijë e çdo shtëpi shqiptare.

Është një projekt unik, që në dijeninë time nuk e ofron asnjë Federatë në Europë.

Përmes tij u jepet mundësia të gjithë fëmijëve të kenë materialet e duhura sportive për të luajtur futboll, pavarësisht kushteve financiare të familjeve të tyre, dhe u ofron gjithashtu materiale sportive të një cilesie si bashkëmoshatarët e tyre europianë. Shqipëria u kualifikua në Europian dhe të gjithë jemi krenar për çunat dhe ekipin tone, por një pjesë shumë e mirë e çunave janë lindur dhe rritur jashtë Shqiperise, janë rritur e stërvitur në Europë në kushte shumë më të mira infrastrukturore dhe sportive në krahasim me Shqipërinë.

Ky projekt, “Uniforma ime”, së bashku me projektin “Topi im”, dhe me gjithë projektet infrastrukturore si “Projekti 100 fushat”, janë punët më të rëndësishme tonat, për t’u dhënë mundësine fëmijëve tanë që të mund të bëhen Gjimshiti, Asllani apo Broja ynë i ardhshëm. Duke pasur bazën materiale e gjithë kushtet që u duhen, mundësitë që t’ia dalin janë shumë më të mëdha.

– Sa fëmijë e të rinj priten të përfitojne këtë vit nga ky projekt?

– Vitin e shkuar, me prezantimin e projektit, regjistrimet e lojtarëve e fëmijeve në garat që organizon Federatat dhe secila shoqate rajonale u rritën ndjeshëm, përtej pritshmërive dhe parashikimeve tona. Fatkeqësisht, për shkak të rritjes së numrit, në disa raste nuk arritëm dhe të pajisim me materiale një pjesë të vogël të fëmijëve për shkak se porositë që ishin bërë nga klubet dhe akademitë përkatëse ishin më të ulëta sesa regjistrimet që ndodhën vitin e shkuar. Këtë vit i kemi marrë masat më mirë, kemi porositur sasitë e nevojshme për çdo rritje të mundshme dhe do të shpërndahen mbi 20 mijë sete materialesh sportive falas në të gjithë Shqipërinë.

E përseris, vitin e shkuar Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë përgëzimet dhe falënderimet e mijëra familjeve dhe mijëra fëmijëve, më shumë se për çdo gjë të mirë tjetër që ka ndodhur në futbollin shqiptar. Ne do vazhdojmë t’i mbështesim këta fëmijë e të rinj, të investojme e t’i ndihmojmë sadopak në rrugën e tyre pranë futbollit.

– Në çfarë faze është ky projekt aktualisht?

– Federata, së bashku me Shoqatat Rajonale, ka filluar shpërndarjen e materialeve për klubet dhe akademitë që marrin pjesë në kampionatet kombëtare të moshave. Për shkak të vonesave nga kompania prodhuese, të lidhura me mungesën e lëndëve të para për prodhim, siç na është referuar, ky proces është disi më i vonuar sesa viti i shkuar.

Gjithsesi tani janë duke mbërritur në Shqipëri edhe kontenierët e fundit me materiale dhe po punojmë me gjithë kapacitetin për të bërë sa më shpejt të jetë e mundur shpërndarjen e plotë. Është një proces që do të zgjasë gjatë muajit dhjetor e më tej në muajt e parë të vitit në vijim.

Për fat të mirë pjesa më e madhe e fëmijëve i kanë marrë uniformat dhe setet e plota sezonin e shkuar, që janë në gjendje shumë të mirë dhe kjo vonesë nuk ndikon në ecurinë dhe zhvillimin e garës e stërvitjeve këto muaj të para të sezonit të ri. Çdo shoqatë, klub e akademi do kontaktohet nga strukturat tona përgjegjëse për të tërhequr setin e plotë të materialeve, në bazë të regjistrimeve të lojtarëve që janë bërë prej tyre.

– Sa do zgjasë ky projekt, sa janë kostot dhe përfitimet për çdo lojtar?

– Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë angazhimin që ky projekt do të jetë i përhershëm, çdo vit. Kemi bërë të njëjtën gjë me projektin “Topi im”, do bëjmë këtë gjë edhe me projektin “Uniforma ime”, edhe pse kostot për një Federatë të vogël si e jona janë të konsiderueshme.

Çdo vit, çdo fëmijë, çdo i ri që luan futboll në Shqipëri do të marrë nga Federata setin e plotë me materiale dhe topin e lojës, duke hequr një shqetësim dhe një kosto për të gjithë familjet shqiptare. Përfitimet e këtij projekti janë mëse të prekshme nga të gjithë dhe efektet në rritjen e numrit të fëmijëve që luajnë futboll është një e mirë e përgjithshme për vendin tonë, me më shumë të rinj që shkojnë drejt sportit dhe drejt shëndetit të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat