Gremio pranon largimin dhe kalimin e uruguaianit tek skuadra e MLS-së

Futboll

Gremio pranon largimin dhe kalimin e uruguaianit tek skuadra e MLS-së

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 19:21
Suarez

Tashmë është zyrtare: Sulmuesi Luis Suarez do të jetë përforcimi më i ri i ekipit amerikan, Interit të Majemit. Rrjeti prestigjioz sportiv amerikan, “ESPN”, ka njoftuar se Suarez në fillim të vitit të ardhshëm do të transferohet tek ekipi amerikan, me të cilin tashmë ka arritur marrëveshje.

Ai do t'i bashkohet Interit të Majemit si lojtar i lirë, pasi ka arritur marrëveshje me Gremion për shkëputjen e kontratës në fund të këtij viti. Në krahun tjetër, edhe Gremio e ka konfirmuar largimin e Suarezit, i cili iu bashkua ekipit brazilian në janar të këtij viti.

Këtë vit, Suarez ka shënuar 23 gola dhe ka dhënë pasimin e fundit edhe për 17 të tjerë në të gjitha veprimtaritë për Gremion. Kështu, Luis Suarezi e ka marrë vendimin për të ardhmen dhe tashmë po përgatitet për t’u ribashkuar me miqtë që ka pasur te Barcelona, pasi kontrata e tij me Gremion të skadojë më 31 dhjetor 2023.

36-vjeçari është gati që ta mbyllë karrierën në kampionatin amerikan të futbollit, MLS, tek skuadra ku luajnë Mesi, Buskets dhe Zhordi Alba.

I pyetur për këtë çështje, trajneri i i Inter Majemit, Gerardo Martino, pati deklaruar në fillim të nëntorit se në njërin nga planet e tyre është edhe afrimi i Suarezit. Një plan që tashmë është vënë në jetë dhe uruguaiani do t’i shtojë më tepër rrezikshmëri skuadrës amerikane të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat