Mbappe kritikon

Futboll

Mbappe kritikon

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 12:09
Mbappe

Mbappé e evitoi “tragjedinë” në ekstrem.

Goli i tij nga penalltia në kohën shtesë barazoi ndeshjen kundër Newcastle dhe i vendosi parizienët në vendin e dytë të renditjes në grup.

Deri në atë moment, PSG ishte në buzë të humnerës.

Tani të paktën varet nga vetja. Megjithatë, ylli francez ishte ende i pakënaqur në fund të lojës.

“Unë përpiqem të jem në maksimum çdo ndeshje, mendoj se mund të kisha bërë më shumë për ekipin tim. Kisha shumë mundësi, por nuk shënova më tepër gola”, – tha Mbappé për mikrofonat e TNT në fund të PSG-Newcastle 1-1. Lojtari i skuadrës pariziene shënoi mbrëmë atë që ishte goli i tij i tretë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, pas atyre ndaj Borussia Dortmundit dhe Milanit.

Mbappe nuk u ndal në kritikat e tij: “Shpërdoruam shumë mundësi. Ju shikoni shumë ndeshje dhe në Champions League duhet të shënoni kur keni mundësi”, – shtoi Kylian, që sheh se kalimi në raundin tjetër varet nga ndeshja vendimtare ndaj Borussia Dortmundit, e kualifikuar tashmë, por jo ende si e para e grupit.

Dita e fundit e Grupit G nuk do të jetë e përshtatshme për personat me zemër të dobët.

E vetmja siguri është se Borussia Dortmund është kualifikuar, ndërsa Milan, PSG dhe Newcastle do të luajnë për vendin e dytë. Francezët varen nga vetja për të qenë të parët, pavarësisht gjithçkaje. Anglezët dhe italianët do të kenë nevojë për ‘pak ndihmë’ nga gjermanët.

Mbappé vazhdoi me reflektimin e tij: “Është një zhgënjim. Nuk mund të kesh kaq shumë raste dhe të mos shënosh. Nuk është problem struktura, organizimi. Jemi ne, lojtarët, duhet të punojmë, të jemi më efektivë.

Kam pasur mundësi për të shënuar më tepër, është e qartë. Kushdo që ka sy e ka parë që ne kemi dominuar, por duhet të jemi më efektivë në veprimin e fundit. Ne kemi dominuar totalisht, anglezët nuk bënë asgjë.

E dinim që loja e tyre nuk do të kishte asgjë, por duhet t’i konkretizojmë shanset tona. Duhej ta kishim vrarë ndeshjen më parë”.

Mbappe iu bëri thirrje bashkëlojtarëve të tij që “të mos dorëzohen, sepse ka mbetur edhe një ndeshje dhe objektivi është të jemi të parët në grup, kështu që duhet të fitojmë në Dortmund”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat