Kodra: Tifozët shumë euforikë, tashmë u mësuam

Futboll

Kodra: Tifozët shumë euforikë, tashmë u mësuam

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 14:37
Kodra - majtas

Fatjon Kodra, drejtor i PR në FSHF, foli rreth situatës në ekipin kombëtar përpara sfidës Moldavi-Shqipëri .

“Ankthi dhe tensioni mund të rriten, kanë ardhur shumë tifozë, është ndeshje e rëndësishme.

Por, brenda ekipit ka seriozitet maksimal, pasi kemi të bëjmë me një finale. Ekipi është komplet jashtë kësaj euforie që ka përfshirë tifozët.

Atmosfera është e qetë dhe shumë e mirë në ekip. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ndeshjes, kjo është shumë pozitive.

Klima? Nuk është se të gjithë luajnë në Shqipëri, nuk është se ka problem në këtë aspekt. Dje e provuan atmosferën dhe fushën, pati përshtatje shumë të shpejtë nga skuadra. Nuk do të kemi probleme, shumë prej lojtarëve luajnë në klima të ngjashme me këtë këtu në Moldavi.

Tifozët? Euforia vijon të jetë shumë e madhe, është normale që të jenë euforikë. Por tjetër gjë mendon skuadra, asgjë nuk ka mbaruar. Djemtë janë të ndërgjegjshëm. Po mësohemi me këtë mbështetje të tifozëve, do të jenë rreth 700-800 tifozë sot në stadium. Do të jetë atmosferë e shkëlqyer, por mendimet janë të ndryshme te skuadra nga ato të tifozëve.

Pas ndeshjes do të nisemi drejt aeroportit. Do të udhëtojmë me charter drejt Tiranës, mund të mbërrijmë rreth orës 23:30-00:00 në Tiranë. Ndoshta 00:30 duke llogaritur vonesat. Dhe pastaj menjëherë në hotel, sepse kemi edhe ndeshje tjetër.

Festë pas ndeshjes? Unë mendoj çdo gjë, por varet nga tifozët se çfarë organizojnë. Të shpresojmë që të marrim një fitore dhe të kualifikohemi. Pejsa tjetër mbetet spontane. Pasi ne kemi edhe ndeshje tjetër, stafi nuk mendon për festë.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me trajnerin. Ai flet për gjithçka. Të gjitha bisedat e bëra kanë qenë të përqendruara që të jemi të fokusuar. Stafi ka punuar shumë mirë për të larguar euforinë dhe për të mbajtur skuadrën me këmbë në tokë. Të gjithë jemi me këmbë në tokë.

Ka besim në ekip, por nuk arrihet asgjë duke folur. Gjërat e mëdha arrihen vetëm me punë dhe fokus e seriozitet maksimal. Shpresojmë të festojmë në fund, por kemi edhe 90 minuta për të luajtur”, deklaroi Kodra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat