Euro U17 për vajza, mbyllen me sukses ndeshjet e turneut të organizuar në Shqipëri

Futboll

Euro U17 për vajza, mbyllen me sukses ndeshjet e turneut të organizuar në Shqipëri

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 12:59
Pamje nga një ndeshje

Është përmbyllur me sukses turneu “UEFA Women’s U-17 Championship” për grupin A7 i cili u mirëprit dhe u organizua nga FSHF. Të gjitha ndeshjet kualifikuese u luajtën në stadiumet “Niko Dovana” dhe “Elbasan Arena” në datat 7, 10 dhe 13 nëntor.

Përsa i përket grupit në vendin e parë e mbyllën vajzat e Suedisë, pas tyre vajzat e Danimarkës, Greqisë dhe Bjellorusisë. Takimi i parë i ditës u zhvillua në “Niko Dovana” të Durrësit në orën 11:00, mes Greqisë dhe Bjellorusisë.

Sfida ishte e bukur dhe e luftuar deri në minutën e fundit në ndeshjen mes Greqisë dhe Bjellorusisë e cila përfundoi në barazim 2-2. Vajzat e Greqisë kaluan të parat në avantazh me golin e Maria Eleni Mougiou. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërsa fraksioni i dytë prodhoi gola të tjerë. Ioanna Ntatis realizoi golin e dytë për Greqinë pasi u tregua e saktë nga penalltia.

Megjithatë vajzat e Bjellorusisë rihapën takimin vetëm dy minuta më vonë, pasi shkurtuan diferencën me golin e Dziyana Katsynel.

Kur gjithçka po shkonte drejt fundit Bjellorusia vendosi baraspeshën me golin e Anastasia Kavaliova dhe sfida përfundoi në barazim 2-2. Greqia dhe Bjellorusia e mbyllën turneun me vetëm një pikë të grumbulluar në tre ndeshje.

Sfida tjetër e ditës u luajt në “Elbasan Arena” në orën 14:00 mes Danimarkës dhe Suedisë. Të dyja skuadrat vinin në një formë të mirë dhe me pikë të barabarta, por vajzat e Suedisë nuk gabuan, fituan edhe ndeshjen e tretë të turneut dhe morën vendin e parë.

Suedia kaloi e para në avantazh me Ella Lundin, megjithatë Danimarka vendosi baraspeshën në minutën e 42 falë golit të Amalie Lund. Fraksioni i dyti nisi sërish më mirë për vajzat e Suedisë që rimorën avantazhin menjëherë në të 47-ën me Moa Svensson. Ndërsa në të 69-ën Fabienne Bartholdson shënoi golin e tretë dhe të qetësisë për Suedinë. Danimarka rihapi sërish takimin 10 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me realizimin e Flora Hojer, por goli shërbeu vetëm për statistik, pasi Suedia triumfoi dhe mori vendin e parë.

Ky ishte një tjetër turne që në nivel organizimi ishte i shkëlqyer duke sjellë edhe vlerësimet më të mira nga pjesëmarrësit dhe UEFA për kushtet e krijuara nga FSHF gjatë gjithë këtyre ditëve në vendin tonë.

Datë 07.11.2023

Suedi – Greqi 2-0

Bjellorusi – Danimarkë 0-6

Datë 10.11.2023

Danimarkë – Greqi 3-1

Suedi – Bjellorusi 3-0

Datë 13.11.2023

Greqi – Bjellorusi 2-2

Danimarkë – Suedi 2-3

Renditja:

1. Suedi 9  pikë

2. Danimarkë 6  pikë

3. Greqi 1 pikë

4. Bjellorusi 1 pikë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat