Bota e futbollit dhe më gjerë është ende e tronditur nga ndarja nga jeta e Raphael Dwamena, sulmuesit 28-vjeçar të Egnatias, i cili mbylli sytë për herë të fundit dje, ditën e shtunë, pasi pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes ndaj Partizanit dhe më pas humbi jetën në spital.
Fundi tragjik i ishte paralajmëruar nga mjekët sulmuesit ganez, megjithatë Dwamena vendosi pasionin përpara vetë jetës së tij.
28-vjeçari ishte këshilluar disa herë të ndalonte së luajturi futboll, por ai kurrë nuk dëgjoi mendimet e mjekëve, duke përfshirë komisionerin e konfederatës afrikane, i cili i kishte shpjeguar qartë rreziqet që mund të kishte nëse do vazhdonte të luante.
Dwamena kishte pësuar më herët dy atake kardiake në fushën e lojës, e para kur luante për Real Zaragoza, pastaj në Austri, me Blau Weiss Linz.
Lojtari më pas iu nënshtrua një operacioni, me vendosjen e një defibrilatori që po ta kishte mbajtur mund t’i kishte shpëtuar jetën.
Megjithatë në vitin 2021 vendimi tragjik Dwamena për të larguar defribilatorin i kushtoi shtrenjtë. Ganeziani, duke e konsideruar pajisjen në zemër si një pengesë për karrierën e tij, kishte vendosur ta hiqte.
Menjëherë pas operacionit, futbollisti u rinis në Zvicër, para se të transferohej në Shqipëri te Egnatia, ku u bë kapiten. Deri në aksidentin e djeshëm, i cili i mori jetën në moshë shumë të re.